27 Maj 2022 – Kisha unike e Rodonit hap dyert pas restaurimit


May 30, 2022

Ceremonia e inaugurimit të kishës së Shna Ndout në Kepin e Rodonit përuroi përfundimin e punimeve të restaurimit të kryera në fillim të këtij viti. Kisha u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe u restaurua në kuadër të programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Evropian, zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Kisha e Shna Ndout është një nga pak shembujt e mbijetuar të një sinteze të stileve arkitekturore rajonale dhe bizantine. Kisha dëshmon një histori të gjatë dhe së bashku me zonat natyrore dhe vijën bregdetare, ky sit i trashëgimisë kulturore ka një potencial të madh në zhvillimin ekonomik lokal.

Ndërhyrjet konservuese u fokusuan në riparimin dhe konsolidimin e muraturës, instalimeve elektrike dhe sistemit të kullimit rreth kishës. Punimet konservuese janë duke u zhvilluar në shtatë asete të trashëgimisë kulturore në të gjithë Shqipërinë, ndërsa nëntë të tjera janë planifikuar të fillojnë këtë vit. Midis tyre muzetë Etnografikë në Krujë dhe Kavajë, Torra Veneciane në Durrës, Kalaja e Bashtovës dhe Ish-Arqipeshkvia në Delbnisht. Në Dhjetor të vitit 2021 kanë përfunduar punimet e restaurimit në kishën e Manastirit të Rubikut.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Elva Margariti, Ministre e Kulturës së Shqipërisë, Alexis Hupin, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ambasadori i Gjermanisë Peter Zingraf, përfaqësuesi i kishës, frat Landi Jaku dhe Pamela Lama, Drejtuese e UNOPS në Shqipëri. Më pas u mbajt një koncert nga këngëtarja shqiptare e Operës, Marjana Leka dhe pianistja Laura Lila.

“Jemi të lumtur të festojmë përurimin e kësaj kishe e cila lidh së bashku të shenjtën, legjendën dhe komunitetin nën një emërues të përbashkët, kulturën. Puna që po festojmë sot ka qenë shumë delikate dhe ka bërë bashkë inxhinierë, historianë,  skuadrën e  të Ministrisë së Kulturës dhe UNOPS-it dhe shumë ekspertë. Ky ka qenë jo vetëm një restaurim, por edhe një rivitalizim, ai ka shkuar me filozofinë tonë të përbashkët të pas tërmetit ‘Build Back Better’ ”, theksoi Elva Margariti, Ministre e Kulturës së Shqipërisë.

“Kisha e Shën Ndout është vetëm një nga shumë monumente kulturore të pazëvendësueshme të Shqipërisë që BE-ja po ndihmon në restaurim dhe rivitalizmin në kuadër të programit EU4Culture, në mënyrë që të stimulojë zhvillimin ekonomik lokal. EU4Culture është programi më i madh dhe më ambicioz i trashëgimisë kulturore i ndërmarrë ndonjëherë nga BE-ja në Ballkanin Perëndimor dhe kjo tregon solidaritetin dhe prioritetin e madh që BE dhe Ekipi i Evropës i jep Shqipërisë ”, nënvizoi Alexis Hupin, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

“Mendoj se ky është një shembull shumë i mirë i përdorimit të fondeve për të ruajtur monumentet e kulturës dhe traditat aq më tepër kur kjo vjen nga rreziqe të ndryshme.

Me duhet të them që jam shumë krenar për punën që është bërë rreth 20 vjet më parë. Nuk e di nëse mund të flas për Bashkimin Evropian, por mund të flas për Skuadrën Evropë. Kështu që unë mund të përsëris vetëm ‘Evropa është këtu’, dhe kjo do të thotë se ky bashkëpunim shumëvjeçar dhe ky projekt që e restauroi kishën, që e bëri përsëri të bukur është një shembull i mirë i koordinimit dhe bashkëpunimit që kemi së bashku këtu,  në Shqipëri vendin tonë partner ” vuri në dukje Peter Zingraf, ambasador i Gjermanisë në Shqipëri.

“Për UNOPS-in është një nder i madh të qenit një partner i besuar i Bashkimit Evropian dhe i Qeverisë Shqipëtare në zbatimin e një nisme kaq të rëndësishme. Në koordinim me Ministrinë e Kulturës dhe BE-në, aktualisht po kryejmë punime konservimi në shtatë asete të trashëgimisë kulturore si dhe do të fillojmë punimet, do të finalizojmë prokurimet apo proceset e projektimit në nëntë site të tjera në një të ardhme të afërt”, theksoi Pamela Lama,  Drejtuese e zyrës së UNOPS në Shqipëri.