Thirrja e re për grante do të ndihmojë në angazhimin e artizanëve dhe promovimin e trashëgimisë kulturore
Muzeu Arkeologjik i Durrësit bëri së bashku përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Delegacioni i BE-së, UNOPS-it, zyrtarë nga njësitë e qeverisjes vendore, përfaqësues të medias, ekspertë nga institucionet e trashëgimisë kulturore dhe OJQ-të me qëllim çeljen e Thirrjes për Grante “RECRAFT THE PAST: Build Up the Future II”.
Thirrja synon të mbështesë sipërmarrjen lokale, artizanatin dhe nismat kulturore që zhvillohen rreth vendeve të rinovuara të trashëgimisë kulturore duke ofruar një nxitje të drejtpërdrejtë për ekonominë lokale.
Në hapje të aktivitetit Ministrja e Kulturës, Elva Margariti theksoi se: “EU4Culture nuk është thjesht një program i rindërtimit të monumenteve të shkatërruara nga tërmeti, por edhe një program i mbështetjes së komunitetit. Pa të, këto monumente do të mbeten rrënoja pa jetë. Janë komunitetet ato që u japin atyre një jetë të dytë, që përcjellin trashëgiminë tonë jomateriale dhe i bëjnë këto monumente tërheqëse për vizitorët. Prandaj, mbështetja e komunitetit është një nga mënyrat më të rëndësishme të rimëkëmbjes pas shkatërrimit.”
“Ne do të trajtojmë me prioritet propozimet e organizatave rinore që veprojnë në bashkitë e Tiranës, Mirditës (Rubik), Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës dhe Krujës dhe që promovojnë barazinë gjinore, përfshirjen e të rinjve dhe qëndrueshmërinë mjedisore.” – vuri në dukje Pamela Lama, Menaxhere e UNOPS në Shqipëri.
Thirrja synon projekte që lidhen me ruajtjen dhe restaurimin e artifakteve dhe ringjalljen e zejeve të vjetra; inkurajimin e mënyrave të reja dhe novatore për krijimin e artizanatit të frymëzuar nga trashëgimia kulturore e Shqipërisë në territoret e prekura; mbështetjen për sipërmarrjen e turizmit kulturor dhe zhvillimin e produkteve dixhitale, inovatore dhe krijuese.
“Titulli i thirrjes “Rikrijo të shkuarën, ndërto të ardhmen”, flet mjaftueshëm për atë që bëhet fjalë. Dhe bëhet fjalë pikërisht për të kaluarën që ne duam t’i rikthejmë bukurinë origjinale duke e respektuar dhe duke ia servirur brezit të ardhshëm. Bëhet fjalë për krijimin e një zinxhiri vlerash që lejon qytetarët e zonave përreth të përfitojnë gjithashtu”, tha Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri.
Financimi për projekt varion nga 10.000 USD deri në 50.000 USD ndërsa afati kohor i zbatimit është 3-12 muaj.