Ruajtja e Trashëgimisë Shqiptare Nëpërmjet Iniciativave të Shoqërisë Civile.
Në shkurt të vitit 2022, projekti EU4Culture i financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, çeli Thirrjen e Parë për Propozime duke inkurajuar OJQ-të për ide kreative me synim mbështetjen e sipërmarrjes lokale, artizanatit, nismave kulturore që zhvillohen rreth siteve të restauruara të trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e ekonomisë vendase. 58 organizata të shoqërisë civile dërguan aplikimet e tyre dhe pas një vlerësimi të plotë nga EU4Culture, u përzgjodhën 11 propozime për financim nëpërmjet granteve. Deri më tani përfituesit e granteve kanë prezantuar rezultatet e para gjatë një sërë eventesh dhe iniciativash komunitare, duke përfshirë netët e poezisë, koncertet tradicionale të muzikës popullore, rrëfime historish, punëtori artizanale, ekspozita dhe ngjarje kulturore të organizuara në shkollat e mesme të vendit.
Në Durrës, artizanët po punojnë së bashku për të krijuar simbole të punuara me dorë për itinerarin e ri të turizmit kulturor, që paraqesin dyert e vjetra si objekte artizanale vendase dhe tradicionale. Rruga e re, e zhvilluar në kuadër të projektit “Kur e kaluara takohet me të ardhmen” – Rivitalizimi i Trashëgimisë Kulturore të Durrësit”, zbatuar nga OJQ-të Durresi Aktiv dhe MuZEH Lab, do të shërbejë si një mënyrë inovative për të tërhequr turistët dhe për të ndarë me ta historinë dhe traditat e qytetit.
Gjatë Natës Poetike të Monumenteve, të organizuar nga të njëjtat OJQ përpara Torrës Veneciane, entuziastë të trashëgimisë kulturore vendase, artizanë, poetë, shkrimtarë, studentë dhe përfaqësues të komuniteteve lokale lexuan poezi dhe diskutuan për vlerën e trashëgimisë kulturore në ruajtjen e historisë dhe identitetit kombëtar.
Projekti “Zhvillimi i Trashëgimisë së Durrësit me bazë Kulturën Krijuese” zbatuar nga OJQ-ja Udhëtimi i Lirë – Liberi di Viaggiare, ka organizuar klasa artizanale dhe mozaiku për nxënësit e shkollave të ndryshme në Durrës me qëllim zhvillimin e aftësive të tyre si në zanatet vendase ashtu edhe në marketing.
OJQ-ja ESN AL mblodhi së bashku ekspertë nga OJQ-të, sektori publik dhe privat dhe ngritën një Rrjet Lokal për Turizmin Kreativ dhe Inovativ si pjesë e projektit “TOURAZZO – Promovimi dhe vlerësimi i trashëgimisë kulturore si një nxitës i turizmit dhe zhvillimit social-ekonomik në Durrës”.
Organizatat e shoqërisë civile në Krujë, Kavajë dhe Rrogozhinë kanë organizuar dy raunde punëtorish në kuadër të projektit “Platformat e fuqizimit dhe mësimit të trashëgimisë”. OJQ-të janë duke punuar për krijimin e katër modeleve të reja edukative për Muzeun Etnografik të Kavajës, Urën e Kurcajt, Muzeun Etnografik të Krujës dhe Kalanë e Bashtovës.
OJQ të tjera, duke përfshirë HELP, Fondacionin Progres, Instituti i Kërkimeve Urbane dhe TID Kruja po vazhdojnë punën me mbështetjen e prodhuesve të artizanatit tradicional duke rritur kapacitetet përmes klasave të trajnimit si dhe duke promovuar punën dhe produktet e tyre nëpërmjet pikave të informimit dhe programeve televizive. Në veçanti, në kuadër të projektit “Dhe tradita vazhdon në Krujë” të zbatuar nga TID Kruja, me rastin e festës së Pavarësisë u organizua një koncert në sheshin kryesor të Krujës, ku banorët e zonës valëvitën flamuj kombëtarë, vallëzuan, kënduan së bashku dhe duartrokitën performancat e grupeve muzikore vendase, këngëtarët dhe valltarët të veshur me kostume tradicionale.