Restaurojmë dhe Ruajmë së bashku Trashëgiminë Kulturore Shqiptare për brezat e ardhshëm!


December 30, 2022

Viti 2022 ka qenë mjaft i ngarkuar për projektin EU4Culture të financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. Përfunduam punën në kishën e Shën Ndout në Rodon, filluam restaurimin e objekteve të reja, mirëpritëm zyrtarë të lartë nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Shqiptare si dhe hapëm dy thirrje për propozime për grante.

Ekipi ynë i inxhinierëve dhe ekspertëve multidisiplinorë vazhdoi restaurimin e aseteve të rëndësishme të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare, duke përfshirë Muzeun Etnografik të Krujës dhe Kavajës, Kalanë unike të Bashtovës, Muzeun Arkeologjik dhe Hamamin në Durrës, Teatrin Kombëtar të Kukullave, Ndërtesën e Ish të Përndjekurve Politik, Urën e Kurçajt, etj.

Përveç restaurimit, Muzetë Etnografikë në Krujë dhe Kavajë si dhe Muzeu Arkeologjik në Durrës po i nënshtrohen një rikonceptualizimi të plotë të ekspozitave muzeale për t’i bërë ekspozitat më të aksesueshme dhe ndërvepruese. Torra Veneciane në Durrës është në pritje të pajisjeve përfundimtare multimediale dhe së shpejti do të çelë dyert si Qendra e parë e Interpretimit të Trashëgimisë, ndërkohë që po hartohen planet e biznesit dhe të menaxhimit të trashëgimisë kulturore për funksionimin më të mirë të objekteve të sapo restauruara.

Ishim të lumtur që mirëpritëm shumë familje dhe fëmijë gjatë Panaireve të Trashëgimisë Kulturore përgjatë javës së Evropës dhe të OKB-së, duke ofruar kurse tradicionale të qeramikës, thurjes, qëndisjes dhe mozaikëve si dhe duke u shpjeguar për punën e EU4Culture në restaurimin dhe rigjallërimin e monumenteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.

Nisëm po ashtu programin e Granteve duke inkurajuar OJQ-të për ide kreative me synim mbështetjen e sipërmarrjes lokale, artizanatit dhe nismave kulturore që zhvillohen rreth objekteve të rinovuara të trashëgimisë kulturore duke ofruar një nxitje të drejtpërdrejtë për ekonominë lokale. Tashmë, grantmarrësit tanë kanë prezantuar rezultatet e para gjatë një sërë eventesh dhe iniciativash komunitare, duke përfshirë netët e poezisë, koncertet tradicionale të muzikës popullore, rrëfimin e historive, punëtori artizanale, ekspozita dhe ngjarje kulturore të organizuara në shkollat ​​e mesme.

Ne lehtësuam partneritetin mes universitetit të Vjenës dhe Tiranës për të siguruar dialog ndërkombëtar nëpërmjet seminareve për shkëmbimin e njohurive dhe vizitave në terren në Kalanë e Bashtovës dhe Muzeun Etnografik të Krujës.

Jemi krenarë për rezultatet që arritëm së bashku në 2022 dhe mezi presim përfundimin dhe inaugurimin e punimeve në Torrën Veneciane, Mozaikun ikonë të Muzeut Historik Kombëtar dhe shumë monumente të tjera të trashëgimisë kulturore vitin që vjen. Në vitin e ardhshëm, do të vazhdojmë punën me restaurimin e objekteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe kthimin e muzeve shqiptare në qendra moderne arsimore duke përdorur mjete multimediale, tregim dixhital dhe koncepte moderne muzealizimi.

E gjithë kjo punë e madhe do të ishte e pamundur pa punën në skuadër të të gjithë partnerëve tanë, veçanërisht të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ministrisë së Kulturës, si dhe ekspertëve të shumtë, inxhinierëve, artizanëve, studiuesve dhe aktivistëve të trashëgimisë kulturore të cilët investuan kohën dhe ekspertizën e tyre në Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare për brezat e ardhshëm!

Ju urojmë të gjithëve një Vit të Ri të lumtur, të begatë dhe paqësor!