Ndërgjegjësimi kundër dhunës me bazë gjinore


December 10, 2022

Më shumë se gjysma e grave dhe vajzave të moshës 15-74 vjeç në Shqipëri kanë raportuar se kanë përjetuar një ose më shumë forma të dhunës (përfshirë dhunën nga partneri, nga njerëz të tjerë dhe/ose ngacmim seksual) gjatë jetës së tyre. Në 12 muajt e fundit kanë përjetuar dhunë më shumë se 30% e tyre. Gjatë periudhës së izolimit nga Covid-19, situata në Shqipëri u përkeqësua akoma më shumë dhe telefonatat në linjën e këshillimit 116-117 u trefishuan në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që raportimet në polici u ulën në krahasim me vitin 2019. Sipas një sondazhi të fundit, 53% e grave u shprehën se ato vetë ose gra të tjera që ato njohin kanë përjetuar dhunë.

Fushata 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, e njohur gjithashtu si Bëje Botën Portokalli, bën thirrje për veprim global për të rritur ndërgjegjësimin, nxitur përpjekjet e advokimit si dhe për të ndarë njohuritë dhe inovacionin për t’i dhënë fund dhunës një herë e përgjithmonë. Fushata fton njerëzit në mbarë botën të vishen me portokalli dhe të ndërmarrin veprime konkrete për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave në komunitet, shtëpi, hapësira publike, shkolla, punë, në kohë lufte dhe paqeje. 16 Ditët fillojnë Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, më 25 Nëntor dhe përfundojnë në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, më 10 Dhjetor.

Me synimin rritjen e ndërgjegjësimit për këtë “pandemi të padukshme”, UNOPS në Shqipëri dhe projekti EU4Culture i financuar nga BE, bashkuan përpjekjet me agjencitë e tjera të OKB-së dhe organizuan një sërë aktivitetesh në kuadër të kësaj fushate.

Ditën e çeljes së fushatës, ekipi iu bashkua një ‘’flash mob’’ të organizuar para ndërtesës së OKB-së. Të veshur me shalle portokalli dhe duke mbajtur pankarta me mesazhe ndërgjegjësuese, së bashku me agjencitë e tjera të OKB-së, ata bënë thirrje për veprim për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave. Ngjyra portokalli është përdorur qysh në vitin 1991 si simbol i një të ardhmeje të ndritshme dhe optimiste, pa dhunë ndaj grave dhe vajzave. Në dy nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, si Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Arkeologjik i Durrësit, u vendosën banderola portokalli me numrin e policisë dhe numrin e linjës së këshillimit, duke inkurajuar dëshmitarët dhe viktimat e dhunës që ta raportojnë dhe të kërkojnë ndihmë menjëherë.

UNOPS Albania në bashkëpunim me UN Women Albania organizuan sesione ndërgjegjësimi për kontraktorët, inxhinierët dhe artizanët e angazhuar përmes projekteve të granteve pjesë e programit EU4Culture, me fokus parandalimin e shfrytëzimit seksual, abuzimit dhe ngacmimit. Gjithashtu, në rrjetet sociale të EU4Culture u postuan thënie nga inxhinierë, ekspertë dhe menaxherë duke bërë thirrje për veprim kundër dhunës.