Mbrojtja e Trashëgimisë Kulturore të Shqipërisë: Pajisje të reja të teknologjisë së lartë për Qendrën Sotir Kolea, aneksin e Bibliotekës Kombëtare


June 2, 2023

2 Qershor 2023

Sot Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti, Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, znj. Christiane Hohmann, Drejtuesja e UNOPS në Shqipëri, znj. Pamela Lama, specialistë të tjerë të fushës dhe përfaqësues të medias vizituan Qendrën Sotir Kolea (Njësia e Restaurimit të Fondit të Bibliotekës Kombëtare). Ata u mirëpritën nga Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, z. Piro Misha, i cili i shoqëroi të ftuarit në dhomat e mahnitshme të bibliotekës, duke demonstruar pajisjet e reja dhe duke u shpjeguar  veçoritë e tyre.

Në qendrën “Sotir Kolea”, aneks i të Bibliotekës Kombëtare, u dorëzuan pajisje të teknologjisë së lartë dhe moderne, që do të ndihmojnë në konservimin dhe aksesimin e librave online, duke kontribuar në ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare. Këto pajisje, me vlerë 668,922 Euro, përfshin servera, skanera të librave dhe të barkodeve, laptopë, tableta, pastrues të specializuar, dezinfektues dhe dhoma tharje, makina pastrimi për heqjen e aciditetit të letrës së librave, etj., të cilat do të rrisin ndjeshëm shërbimet e bibliotekës.

“Jemi krenarë që po e mbështesim Shqipërinë nëpërmjet programit tonë EU4Culture, për mirëmbajtjen e librave unikë në Fondin e Bibliotekës Kombëtare, duke e furnizuar atë me një sërë pajisjesh moderne për restaurimin dhe ruajtjen e librave dhe gazetave. Biblioteka luan një rol kritik në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë dhe lehtësimin e aksesit publik në informacion. Ky është një ilustrim më shumë se si BE është e pranishme në Shqipëri dhe vazhdon t’i qëndrojë përkushtimit të saj ndaj popullit shqiptar!” – u shpreh Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann.

“Është bërë një punë e lavdërueshme për të nxjerrë në dritë godinën e harruar të Aneksit të Bibliotekës Kombëtare, për katalogimin dhe sistemimin e librave. Por nuk mjafton vetëm restaurimi i godinës dhe sistemimi i librave. Duhet të mendonim edhe për të ardhmen e kësaj pasurie. Këtu na erdhi në ndihmë Bashkimi Evropian duke mundësuar pajisjen e kësaj biblioteke me aparatura moderne për digjitalizimin, ruajtjen, pastrimin, restaurimin e librave. Falë digjitalizimit ky fond do jetë i aksesueshëm edhe online, çka jo vetëm i vjen në ndihmë lexuesit kudo që ai është, por edhe ruan kopjen fizike të librit.”- u shpreh Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti.

Pamela Lama, Drejtuesja e UNOPS në Shqipëri shprehu mirënjohjen e saj për Delegacionin Evropian në Shqipëri që zgjodhën UNOPS-in si partner të besuar në zbatimin e këtij projekti dhe Ministrinë e Kulturës për bashkëpunimin e tyre të frytshëm. 

“Këto pajisje do të sigurojnë standardet më të larta të ruajtjes dhe restaurimit të librave, do të përmirësojnë efikasitetin duke lejuar trajtimin e një vëllimi më të madh librash brenda një afati më të shkurtër kohor dhe do të rrisin qasjen në koleksionet e librave nga studiuesit dhe publiku. Ky mund të jetë gjithashtu një model për t’u ndjekur nga  bibliotekat dhe arkivat e tjera në të gjithë vendin.” – vuri në dukje Pamela Lama, Drejtuesja e UNOPS në Shqipëri.”