Maj 2022 – Rrisim nivelin e angazhimit në trashëgiminë kulturore


May 16, 2022

Programi EU4Culture organizoi tre aktivitete publike në qytetet e Shkodrës, Vlorës dhe në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë në kuadër të Javës së Evropës. Ngjarjet mblodhën së bashku familje, përfaqësues të shoqërisë civile, akademinë, komunitetet e ekspertëve dhe studentë për të festuar dhe promovuar vlerat e përbashkëta evropiane dhe për të rritur ndërgjegjësimin për partneritetin shqiptar me Bashkimin Evropian.

Thurja dhe poçaria janë zanate tradicionale shekullore shumë të dashura dhe të ruajtura në të gjithë Shqipërinë e çdo rajon krenohet me modelet, teknikat dhe sekretet e veta autentike të përcjella brez pas brezi. Në këtë kontekst, EU4Culture bashkëpunoi me një OJQ lider të artizanatit dhe organizoi masterklasa për fëmijët e moshës parashkollore dhe fillore, të cilët patën mundësinë të mësojnë për traditat e tyre kombëtare dhe të argëtohen shumë në të njëjtën kohë.
Programi zhvilloi një lojë dyshemeje të tipit “gjarpërinjë dhe shkallë” rreth vendeve të trashëgimisë, e cila ishte shumë e pëlqyer nga adoleshentët dhe ofroi një mundësi të shkëlqyer për të rriturit dhe fëmijët për të mësuar mbi thesaret kulturore shqiptare dhe punën e programit në restaurimin e tyre.
Ndërsa fëmijët po argëtoheshin duke luajtur, kjo i dha stafit të EU4Culture një mundësi për t’u përfshirë me prindërit e tyre në biseda domethënëse rreth asaj se çfarë do të thotë realisht për ta, trashëgimia kulturore, cilat vende duhet të restaurohen dhe cilat rrugë turistike ia vlenin të vizitoheshin dhe pse. Për këtë audiencë EU4Culture zhvilloi një hartë praktike turistike duke theksuar vendet që programi po restauron aktualisht. Ajo u prit shumë mirë nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Kulturës dhe si hap i radhës është planifikuar shpërndarja e saj nëpër muzetë, hotelet dhe aeroportet më të njohura për sezonin e ardhshëm turistik.
Për njerëzit që ishin të interesuar të eksploronin veçoritë e punimeve të restaurimit, EU4Culture organizoi orë të hapura të zhvilluara nga eksperti i Ateliesë së Mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, i cili shpjegoi kompleksitetin e punimeve dhe sfidat që inxhinierët duhej të trajtonin gjatë zbatimit të projektit.
Për audiencën më të re, EU4Culture organizoi një kënd fotosh, duke u ofruar atyre një mundësi për të ndryshuar profilet e tyre në rrjetet sociale me fotot e shkrepura si heronj kombëtarë shqiptarë nga Mozaiku ikonë i Muzeut Historik Kombëtar që programi është duke e restauruar aktualisht. Postimi i Delegacionit të BE-së në Facebook për këtë mundësi fotografie u bë viral dhe mori më shumë se 900 pëlqime, 80 komente dhe 25 shpërndarje.

“Ne po riafirmojmë me zë të lartë dhe me krenari vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian: respekti për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut, mosdiskriminimin dhe barazinë gjinore. Kjo është ajo që ne do të përpiqemi të promovojmë çdo ditë të vitit, por me një fokus të veçantë gjatë ditëve të Evropës”, ​​vuri në dukje Alexis Hupin, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri në hapjen e eventit të parë të Javës së Evropës në Shkodër.

Shiko për më shumë