Lente mbi Kulturën: Festojmë Ditën Botërore të Fotografisë dhe Trashëgiminë Kulturore në Kavajë
Sot shënohet Dita Botërore e Fotografisë, një festë e përvitshme globale kushtuar nderimit të artit, aftësive, shkencës dhe rëndësisë historike të fotografisë. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për fotografimin e peizazheve natyrore të lënë pa frymë, ruajtjen e bukurisë së siteve të trashëgimisë kulturore, kapjen e momenteve historike apo të jetës së përditshme, fotografia vazhdon të shërbejë si një mjet i fuqishëm për tregimin e historive dhe komunikimin global.
Në këtë epokë digitale, së bashku me përparimin e jashtëzakonshëm të mediave sociale, fotografia ka pësuar një evolucion transformues. Sot, pothuajse të gjithë posedojnë një aparat fotografik, duke u mundësuar atyre të kapin dhe ruajnë momentet me një klikim të thjeshtë.
Për të përkujtuar këtë ditë, Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes organizoi në Kavajë ekspozitën e fotografive “KavajaBLIC”. Në këtë aktivitet u prezantuan 25 fotografi magjepsëse që vënë në pah sitet e trashëgimisë kulturore të qytetit, të kapura nga lentet e të rinjve të talentuar.
Këto fotografi u zgjodhën me kujdes përmes një konkursi fotografik të mbajtur si pjesë e projektit PromoKULT, i cili financohet përmes programit të granteve EU4Culture. Falë këtij konkursi ju bë një ftesë nxënësve të moshës 15-29 vjeç nga Kavaja, duke i nxitur ata të dorëzonin fotot e tyre që kapnin me mjeshtëri bukurinë e monumenteve të trashëgimisë kulturore të qytetit.
“Të fotografosh do të thotë të kapësh një moment, një fragment të realitetit që na rrethon. Dhe kjo është pikërisht ajo që ne dëshmojmë këtu, me të gjitha 25 fotografitë. Kjo nismë jo vetëm që kontribuoi në vështrimin e trashëgimisë kulturore të Kavajës, por gjithashtu inkurajoi dhe motivoi të rinjtë që ta duan qytetin e tyre dhe ta promovojnë atë”, theksoi Ina Lushka, Menaxhere e Projektit PromoKULT.
“Fotografia ka qenë gjithmonë një pasion i imi. Kur mësova për konkursin u emocionova dhe nuk hezitova të merrja pjesë. Momenti më i pabesueshëm erdhi kur u shpalla fitues – diçka që nuk e kisha parashikuar. Unë jam shumë mirënjohës për këtë mundësi!” tha Halil Bagosi, 18-vjeçari fitues i konkursit.
Puna e PromoKULT gjen frymëzimin dhe fokusin e saj në një numër sitesh të trashëgimisë kulturore të vendosura në rajon, duke përfshirë Muzeun Etnografik i cili aktualisht është duke u restauruar në kuadër të programit EU4Culture.