Intervistë me Profesoreshë Gabriela Krist


January 10, 2022

Tiranë, 1 dhjetor 2021

Intervistë për Revistën “Trailblazing”

Profesoresha Gabriela Krist

Universiteti i Arteve të Aplikuara, Instituti i Konservimit, Vjenë

1.Mirë se erdhët në Shqipëri Profesor Krist! Jemi shumë të lumtur që ju kemi në vendin tonë. Cila është përshtypja juaj e parë për këtë vizitë dhe bashkëpunimin me UNOPS-in përmes programit EU4Culture?

Unë erdha për herë të parë në Shqipëri verën e këtij viti së bashku me dy kolegë, konservatorë gurësh, dhe detyra jonë ishte të kontrollonim së bashku me UNOPS-in, vendet e dëmtuara nga tërmeti, përfshirë muzetë. Gjatë misionit tonë, patëm mundësinë e madhe të udhëtonim në të gjithë vendin, nga Durrësi, në Kavajë, Krujë, Bashtovë dhe kalanë e Lezhës, Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe sigurisht Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Ne krijuam një përshtypje të vërtetë për pasurinë e kulturës shqiptare dhe gjendjen e vendeve të dëmtuara. Ishte gjithashtu e rëndësishme për ne që të diskutonim me ekspertë dhe komunitetet vendore dhe të dëgjonim pikëpamjet e tyre. Ishte vërtet një përvojë e rëndësishme për mua. Unë kam pasur mundësinë të udhëtoj në Ballkan në të kaluarën, por Shqipëria është një vend i veçantë për mua, me bukuritë natyrore, kulturën dhe njerëzit e saj.


2. A mund të na tregoni më tepër për bashkëpunimin me programin EU4Culture?

E gjithë kjo mundësi filloi një vit më parë, në vitin 2020, kur unë merresha me këshillim për konservimin dhe restaurimin, megjithatë për shkak të krizës pandemike na u desh të shtynim udhëtimet tona. Në atë kohë ishte përvoja ime e parë me UNOPS. U lumturova kur mësova se programi EU4Culture po zbatohej nga UNOPS për të mbështetur Shqipërinë nëpërmjet financimit të BE-së për të ruajtur trashëgiminë e saj kulturore. Mandati i UNOPS-it në infrastrukturë, menaxhim projektesh dhe prokurime, i kombinuar me njohuritë e ekspertëve të ndryshëm të trashëgimisë kulturore dhe me bashkëpunimin solid të Ministrisë së Kulturës, është një bazë e shkëlqyer për të realizuar këtë projekt shumë kompleks. Isha më shumë se e kënaqur që nisa këtë bashkëpunim.


3. Sa kohë keni qe merreni me konservim dhe restaurim arti? Si ju futët në këtij profesioni?

Oh la la, kjo është një pyetje e mirë. Gjithcka nisi në shkollë të mesme. Dëshira ime ishte të bëja diçka në fushën artistike sepse më pëlqen vizatimi dhe piktura. Në shtëpinë e prindërve të mi, objektet antike apo artet figurative ishin gjithmonë temë diskutimi. Më pas njoha konservatorë të vjetër dhe zhvillova një interes të madh për atë fushë. Gjatë shkollës së mesme shihja sesi punonin dhe më pas në vitet e fundit lindi dëshira për të filluar këtë profesion. Pas mbarimit të shkollës së mesme në vitin 1974 më në fund hyra në Akademinë e Arteve në Vjenë për t’u bërë restauruese. Që atëherë, nuk jam penduar për asnjë ditë!


 4.Cila është fusha juaj specifike e ekspertizës?

U shkollova rreth konservimit të pikturave dhe pas këtyre studimeve fillova të punoj në Akademinë e Arteve në Vjenë, një institucion i njohur në Austri ku kam qenë pedagoge e konservimit të pikturës. Një nga dëshirat e mia më të mëdha ka qenë gjithmonë të bëhem profesoresh universiteti. Më vonë përfundova doktoraturën në histori arti. E lashë akademinë sepse gjeta një punë në ICCROM (Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Ruajtjes dhe Restaurimit të Pasurive Kulturore) në Romë, një organizatë e financuar nga UNESCO që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë tetë viteve të punës sime në ICCROM, mësova shumë rreth punës në një kontekst ndërkombëtar. Unë isha përgjegjës për rajonin e Azisë në atë kohë dhe ne koordinonim programet e trajnimit pasuniversitar në Indi dhe Japoni. Ishte një përvojë e mirë. Më pas punova në Zyrën Qendrore të Ruajtjes së Monumenteve (Bundesdenkmalamt-BDA) në Vjenë, të cilët janë përgjegjës për të gjitha monumentet e mbrojtura në vendin tonë. Më në fund, në vitin 1999 u emërova profesoresh në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë.


5. Çfarë ju emocionon më shumë në programin EU4Culture këtu në Shqipëri?

Më bëri shumë përshtypje trashëgimia kulturore që keni në këtë vend, nga vendet arkeologjike deri te muzetë etnografikë. Më duket shumë i dobishëm fakti që UNOPS po koordinon këtë projekt jo vetëm për të riparuar dëmet nga tërmeti, por edhe për të krijuar koncepte të reja interpretimi dhe ekspozimi. Përveç restaurimit të vendeve kulturore të prekura, UNOPS po punon gjithashtu me ekspertë për të përmirësuar standardet e muzeve. Besoj se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për këtë vend, sepse turizmi dhe veçanërisht turizmi kulturor do të luajnë një rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe për rritjen e standardeve të jetesës.


6. Çfarë mendoni se do t’ju sjellë kjo përvojë?

Unë jam gjithmonë e etur për të mësuar dhe mendoj se jetojmë në një kohë ku nuk mund të thuash se je ekspert ose se ke mësuar mjaftueshëm. Kemi mundësinë të shohim kontekste dhe perspektiva të ndryshme dhe duhet të reagojmë në mënyrë fleksibël ndaj të gjitha nevojave specifike të një vendi. Ndjej se kjo përvojë më pasuron si profesionalisht ashtu edhe personalisht. Për më tepër, unë nuk punoj këtu vetëm, por me një ekip ekspertësh. Kolegët e mi janë me mua dhe kontributet e tyre janë shumë të rëndësishme. Ne do të punojmë këtu me materiale të ndryshme dhe duhet të përshtatemi me  sfidat lokale.

Një plan tjetër emocionues që kemi është që gjatë korrikut të ardhshëm (2022) synojmë të organizojmë një shkollë verore ku studentët e mi nga Universiteti i Arteve të Aplikuara në Vjenë së bashku me studentët e Universitetit të Tiranës do të angazhohen në programin EU4Culture. Fokusi ynë do të jetë në Muzeun Etnografik të Krujës dhe Kavajës. Do të jetë një fushatë pune njëmujore dhe një mundësi unike për të gjithë ata që do të punojnë së bashku me tekstile të rëndësishme brenda dy koleksioneve.


7. Bazuar në përvojën tuaj të gjatë, si mendoni se ka ndryshuar konservimi/restaurimi i artit gjatë viteve?

Në fakt, kjo është një pyetje e mirë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se fondet për konservim apo për kulturë janë të limituara dhe nuk po rriten. Duhet patjëter të mendojmë edhe për restaurimin. Nëse ka investime në fushën e ruajtjes, ato para duhet të investohen me mend. Prandaj jam shumë e kënaqur kur shoh vendosmërinë e BE-së për kulturën në Shqipëri përmes një investimi kaq të madh.

Gjatë dhjetë viteve të fundit ka pasur një ndryshim në qasjen ndaj ruajtjes. Ne nuk merremi vetëm me objekte apo monumente të vetme, por duhet të kemi një pamje holistike, më globale, duke u kujdesur për koleksionet, duke investuar para jo për një artikull të vetëm, por duke u përpjekur ta mbajmë koleksionin gjallë dhe në gjendje të mirë. Këto janë tendencat e reja. Gjithnjë e më shumë po i referohemi konservimit parandalues, duke punuar me mjedisin rreth objekteve të muzeut. Mendoj se kjo është gjëja më e mirë që mund të bëjmë për momentin, të merremi me koleksionet dhe me koncepte të reja për t’u kujdesur për monumentet dhe sitet, për shembull nëpërmjet monitorimit dhe mirëmbajtjes së duhur.

Lexo më shumë