Dita Botërore e Kreativitetit dhe Inovacionit
21 Prill 2023
Gëzuar Ditën Botërore të Kreativitetit dhe Inovacionit! Sot, festojmë fuqinë e imagjinatës njerëzore dhe rolin që ajo luan në nxitjen e përparimit në botë. Gjithashtu, kreativiteti dhe inovacioni nxisin ekonomitë lokale, gjenerojnë të ardhura, krijojnë vende të reja pune dhe shtojnë mundësitë për të gjithë, sidomos për gratë dhe të rinjtë.
Programi EU4Culture i financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës është duke restauruar dhe rijetësuar objektet e trashëgimisë kulturore, me qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomiko-social. Disa muze të rëndësishëm, si Muzeu Etnografik i Krujës, Muzeu Etnografik i Kavajës, Kulla Veneciane, Hamami në Durrës, Muzeu Arkeologjik në Durrës dhe Kalaja e Bashtovës, po pajisen me mjete rrëfimi multimediale dhe digjitale të teknologjisë së lartë.
Torra Veneciane do të kthehet në qendrën e parë shqiptare të interpretimit të trashëgimisë dhe do të ofrojë lloje të ndryshme të veprimtarive të interpretimit falë mjeteve moderne të tregimit, duke theksuar ngjarjet dhe momentet më të rëndësishme të historisë antike të qytetit. Vizitorët do të mund të eksplorojnë historinë e Durrësit përmes projeksionit multimedial në kube, të zhyten në të kaluarën e lashtë përmes përvojave të realitetit virtual, të marrin informacion për historinë e Durrësit përmes një aplikacioni, tabletave në vend dhe udhëzuesve audio në pesë gjuhë.
Pas restaurimit, Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të shndërrohet në një qendër moderne arsimore që do t’i lejojë vizitorët të përjetojnë historinë përmes tregimit klasik, teknologjisë së lartë, realitetit virtual dhe mjeteve multimediale. Vizitorët do të jenë në gjendje të zbulojnë historinë e Durrësit duke eksploruar rrugë të riskicuara, të mrekullohen me thesaret e reja të zbuluara gjatë misioneve të fundit arkeologjike nënujore dhe të mblidhen së bashku për ngjarje dhe shfaqje kulturore në një hapësirë urbane në natyrë tërësisht të rikonceptuar.
Nëpërmjet zgjidhjeve teknologjike, mjeteve dixhitale inovative dhe qasjeve krijuese, programi EU4Culture promovon historinë dhe trashëgiminë kulturore në një mënyrë të re e më tërheqëse. Për më tepër, këto mjete bëjnë të mundur aksesimin e informacionit nga një publik më i gjerë.