Artizanët mes të shkuarës dhe së ardhmes: Ndihmojmë gratë artizane të shesin online


March 15, 2023

Për shekuj me radhë, marketingu dhe shitja në tregun tradicional të zanatçinjve të qytetit të lashtë malor të Krujës, ishte punë burrash. Të ardhurat ishin të kufizuara nga një sezon i shkurtër turistik dhe vareshin kryesisht nga moti i mirë. Teknologjitë e reja ishin zgjidhja e përkryer për të ndihmuar artizanët të përmirësonin jetët e tyre dhe të bëheshin më elastikë ndaj sfidave dhe goditjeve të panjohura të së ardhmes, të tilla si pandemitë, kushtet e këqija të motit ose kufizimet për udhëtim.

Projekti EU4Culture i zbatuar nga UNOPS në Shqipëri mbështet gratë artizane në Krujë për të zhvilluar dhe përmirësuar aftësitë e tyre të marketingut digjital për të shkuar përtej biznesit të zakonshëm dhe për të shfrytëzuar potencialin e tregjeve vendase dhe ndërkombëtare online.

Nëpërmjet nismës së granteve “Artizanët mes të shkuarës dhe së ardhmes”, gra artizane morën pjesë në 12 sesione trajnimi për të mësuar si të përdorin mediat sociale dhe të krijojnë përmbajtje tërheqëse për të tregtuar dhe shitur punimet e tyre në online.

Aftësitë e reja digjitale tashmë po i ndihmojnë gratë artizane të specializohen, të zhvillojnë produkte të veçanta, të “dëgjojnë” klientët dhe po mundësojnë që ato të kenë shitje përgjatë gjithë vitit.

Ne i kërkuam artizaneve të ndanin mendimin e tyre me ne dhe ja cilat ishin disa nga komentet:

“Trajnimi i marketingut ishte shumë i dobishëm për mua dhe do të më ndihmojë për të shitur produktet online”, vuri në dukje Dallandyshe Tabaku, një prodhuese tradicionale qilimash 35-vjeçare.

“Ne kemi mësuar aftësi marketingu për të shitur produktet, si t’i reklamojmë ato në online dhe t’i përshtasim shitjet me realitetin e tregjeve moderne,” tha Kumrije Berushi, artizane me eksperiencë mbi 30 vjeçare.

“Unë u bëra artizane kur isha 15 vjeç dhe do të doja shumë që këtë zanat t’ua transmetoja të gjitha vajzave dhe grave të reja, ndërkohë që jam ende në gjendje të punoj për t’u siguruar që zanati tradicional i punimit të qilimave të mos humbasë kurrë,” u shpreh Deshire Maja.