Torra Veneciane shndërrohet në Qendrën e parë të Interpretimit Multimedial të Historisë
Z. Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, znj. Elva Margariti, Ministrja e Kulturës, znj. Christiane Hohmann, Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, znj. Pamela Lama, Drejtuesja e UNOPS Shqipëri, vizituan qytetin antik të Durrësit për të parë përfundimin e punimeve të rinovimit në Torrën Veneciane.
Ky monument i mrekullueshëm i trashëgimisë kulturore, pikë referimi për qytetin, që u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019, tashmë është restauruar në kuadër të programit EU4Culture, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. Buxheti për punimet ishte 700,000 euro, duke përfshirë të gjitha pajisjet multimediale, ndërsa zhvillimi i përmbajtjes multimediale përfshiu një shpenzim shtesë prej 300,000 EURO.
Torra Veneciane është shndërruar në Qendrën e parë të Interpretimit Multimedial të Historisë Moderne, e cila u ofron vizitorëve mundësinë për të eksploruar ngjarje dhe vende historike përmes pajisjeve të ndryshme dixhitale dhe multimediale si kufjet VR, periskopët dixhitalë, projeksionet multimediale në kubenë e kullës dhe aktivitete të tjera, të cilat gërshetojnë argëtimin me një vështrim më të thellë të historisë së lashtë të qytetit.
Projekti EU4Culture po zhvillon gjithashtu Planet e Biznesit dhe Menaxhimit të Trashëgimisë Kulturore për të përmirësuar menaxhimin dhe qeverisjen e siteve të trashëgimisë kulturore, duke i bërë ato financiarisht të qëndrueshme dhe fitimprurëse si dhe për të diversifikuar funksionet dhe shërbimet e tyre.
Përveç punimeve të rinovimit, EU4Culture është gjithashtu duke zbatuar programin e granteve që fokusohet në shfrytëzimin e zejeve tradicionale dhe turizmit kulturor për të nxitur zhvillimin social-ekonomik në komunitetin vendas. Në mënyrë të veçantë, projekti synon të fuqizojë gratë artizane duke ofruar trajnime në brandim dhe marketingun dixhital, në mënyrë që ato të mund të shfrytëzojnë potencialin e tregjeve vendase dhe ndërkombëtare në internet. Aftësitë e reja dixhitale po u lejojnë grave artizane të diferencojnë produktet e tyre, të përparojnë në tregjet e veçanta, të kuptojnë më mirë nevojat e klientëve dhe të krijojnë një biznes të qëndrueshëm jo vetëm përgjatë sezonit turistik në verë, por gjatë gjithë vitit.