Muzeu Arkeologjik i Durrësit është restauruar plotësisht në kuadër të programit EU4Culture, duke shënuar përfundimin e një investimi madhor të BE-së në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë
Durrës, Shqipëri – Muzeu Arkeologjik i Durrësit është restauruar plotësisht, përforcuar dhe pajisur me hapësira moderne për vizitorët në kuadër të programit EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit (MTKS).
I dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2019, muzeu është rehabilituar me kujdes dhe është transformuar në një pikë referimi kulturore rezistente, që ruan dhe prezanton trashëgiminë arkeologjike të Shqipërisë.
Përfundimi i punimeve u shënua me një ceremoni zyrtare, ku morën pjesë Sh.T.Z. Silvio Gonzato, Ambasadori i BE-së në Shqipëri; Sh.T.Z. Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë; Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja; Drejtuesja e UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën Sabine Kania; Koordinatorja Rezidente e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Ingrid Macdonald; si dhe ambasadorë, partnerë dhe përfaqësues të komunitetit.
Duke folur në këtë aktivitet, Sh.T.Z. Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, tha:
“Ringritja e shumë objekteve të trashëgimisë kulturore pas tërmetit shkatërrues të disa viteve më parë u bë e mundur falë solidaritetit të fortë dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian. Përmes programit EU4Culture, BE-ja ofroi mbështetje jetike, ndërsa ne bëmë gjithçka që na takonte, përmes projekteve të duhura dhe angazhimit të nevojshëm, për ta çuar këtë proces përpara dhe për ta vijuar atë, pasi disa objekte janë ende në restaurim. Kjo është një përpjekje vërtet transformuese që flet vetë, siç reflektohet edhe në pamjen e jashtme të këtij muzeu, i cili është rikonceptuar plotësisht nga brenda, duke pasuruar narrativën muzeale dhe duke e sjellë institucionin në një nivel të ri.”

Sh.T.Z. Silvio Gonzato, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, u shpreh:
“Jam krenar të shoh Muzeun Arkeologjik që rihap dyert dhe shfaq trashëgiminë e pasur dhe shumë-shtresore të Shqipërisë. Shpesh thuhet se BE-ja është një burokraci pa fytyrë dhe pa zemër, por programe si EU4Culture tregojnë se solidariteti është në thelb të saj. Ky program shkon përtej restaurimit të trashëgimisë kulturore; ai ka ndihmuar në rigjallërimin e peizazhit kulturor të Shqipërisë pas tërmetit të vitit 2019, duke përfshirë komunitetet lokale dhe duke mbështetur artistët. Përmes partneriteteve të forta me autoritetet qendrore dhe vendore, programi ka sjellë rezultate konkrete duke rihapur objekte në të gjitha bashkitë e prekura nga tërmeti tragjik, duke nxitur turizmin dhe duke krijuar mundësi të reja për ekonomitë lokale. Ndërsa Shqipëria vijon rrugën e saj drejt BE-së, këto hapësira të rigjallëruara do të vazhdojnë të nxisin krijimtarinë, të forcojnë identitetin kulturor dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm.”

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u shpreh:
“Ky është një moment historik për Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe për vetë qytetin, i cili rikthen një hapësirë tërësisht të transformuar dhe të investuar në ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë sonë kulturore. Me standarde të reja funksionimi, kushte të përmirësuara dhe një ekspozitë të rikonceptuar, po i kthejmë Durrësit dhe publikut një muze të ri, të restauruar plotësisht, thuajse të rilindur, ku mbi 3,200 artefakte rrëfejnë në mënyrë elegante të shkuarën në pavionët e rikonceptuar. Një koncept i ri kuratorial nxjerr në pah temat kryesore të narrativës së muzeut dhe periudhat kryesore historike, duke mundësuar njëkohësisht pasurimin dhe përditësimin e vazhdueshëm të ekspozimit me gjetje të reja. Ndër to, spikat “Bukuroshja e Durrësit”, tashmë e rikthyer në shtëpi.
Ky projekt, i realizuar në bashkëpunim me Bashkimin Evropian përmes programit EU4Culture dhe i zbatuar nga UNOPS, është një dëshmi e qartë e angazhimit për të mbrojtur identitetin tonë dhe për ta kthyer atë në një aset zhvillimi për të ardhmen.
Dua të shpreh mirënjohjen për të gjitha institucionet dhe individët e përfshirë në projektet e EU4Culture: hartuesit e projekteve, bashkëpunëtorët dhe çdokënd që ka dhënë kontribut në këtë proces kompleks, përfshirë Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, Qendrën Muzeore Durrës, si dhe autorët Iris Pojani, Lorenc Bejko, Belisa Muka dhe Luan Përzhita, dhe kuratoren Yllka Gjikopuli. Falënderime të veçanta për ata që punuan në terren: Sabina Veseli, Eda Andoni, Elvana Metalla dhe Gjergji Vinjahu. Mirënjohje e veçantë shkon për Lejla Hadžić, e cila ndër vite është bërë, më shumë se kurrë, shqiptare.”

Koordinatorja Rezidente e OKB-së në Shqipëri, znj. Ingrid Macdonald, u shpreh:
“Si Kombet e Bashkuara në Shqipëri, jemi krenarë që mbështesim restaurimin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit përmes programit EU4Culture – një dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë dhe qëndrueshmërisë së pasur të Shqipërisë. Gjatë pesë viteve të fundit, EU4Culture, një partneritet ambicioz midis Bashkimit Evropian, Qeverisë së Shqipërisë dhe UNOPS, ka restauruar 23 objekte të trashëgimisë, ka krijuar mbi 64,000 ditë pune dhe ka angazhuar më shumë se 12,000 njerëz, shumë prej të cilëve përmes iniciativave të udhëhequra nga gratë. Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të gjenerojë përfitime të qëndrueshme kulturore, ekonomike dhe sociale për Durrësin dhe më gjerë. Ky investim nuk është vetëm në trashëgiminë kulturore, por edhe në mirëqenien dhe prosperitetin e njerëzve dhe komuniteteve.”
Ndërhyrja në Muzeun Arkeologjik të Durrësit përfshiu rehabilitimin e plotë strukturor, riparimin e dëmeve nga tërmeti, përmirësimin e aksesit për vizitorët dhe krijimin e një ekspozimi dhe narrative muzeale të përmirësuar. Muzeu, më i madhi arkeologjik në Shqipëri, strehon mbi 2,800 artefakte nga gërmimet në dhe rreth qytetit antik të Dyrrahut.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit është një ndërhyrje në kuadër të programit EU4Culture, një investim prej 40 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, që përbën investimin më të madh të BE-së në trashëgiminë kulturore në Ballkanin Perëndimor. Programi mbështet restaurimin dhe rigjallërimin e 23 objekteve të trashëgimisë në të gjithë Shqipërinë.
Programi ka mbështetur gjithashtu zhvillimin e komuniteteve dhe angazhimin kulturor, duke përfshirë mbi 12,000 persona përmes granteve dhe iniciativave që promovojnë si trashëgiminë materiale, ashtu edhe atë jomateriale, përfshirë zejet, traditat, muzikën, kulinarinë dhe njohuritë vendore.
