Dita Ndërkombëtare e Gastronomisë
18 Qershor 2023
Sot është Dita Ndërkombëtare e Gastronomisë, një mundësi për të festuar ndërthurjen e kulturës me ushqimin.
Jemi të lumtur të ndajmë me ju lajme te reja nga projekti “Eksploroni – Përjetoni – Përmirësoni Turizmin Kulturor në zonën pas tërmetit”, zbatuar nga OJQ-ja IP3 dhe financuar nëpërmjet skemës së granteve të EU4Culture. Synimi i këtij projekti është të shndërrojë qarkun e Durrësit, Kavajës, Krujës dhe Rrogozhinës në një destinacion tërheqës për trashëgiminë kulturore lidhur me turizmin dhe gastronominë. Në kuadër të kësaj nisme, ekipi i projektit krijoi një udhërrëfyes me fokus bizneset tradicionale, sipërmarrjet e agroturizmit, kantinat e verës dhe artizanët vendas.
Ky rajon ofron një përvojë tepër të pasur gastronomike të mbushur me një mori shijesh dhe pjatash. Duke shijuar gatimet tradicionale dhe duke u angazhuar me banorët mikpritës, turistët do të integrohen në atmosferën vendase, do të mësojnë për historinë dhe do të përqafojnë zakonet dhe traditat e rajonit.