Programi i granteve EU4Culture ka ndihmuar në fuqizimin e artizanëve të Krujës dhe nxitjen e ekonomisë lokale


May 19, 2023

19 Maj 2023

Përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Evropian, Ministrisë së Kulturës dhe UNOPS zhvilluan së bashku një vizitë monitoruese në bashkinë e Krujës, për 4 organizata jofitimprurëse që po zbatojnë projekte të financuara nga programi i granteve EU4Culture. Nën temën frymëzuese “Rikrijo të shkuarën, ndërto të ardhmen”, ky program grantesh synon të mbështesë sipërmarrjen, artizanatin dhe iniciativat kulturore lokale të përqendruara rreth siteve të EU4Culture, duke ofruar një nxitje të drejtpërdrejtë për ekonominë lokale.

U zhvilluan diskutime me përfaqësues të katër OJQ-ve që punojnë në Krujë për të eksploruar mënyrat e nxitjes së ruajtjes së kulturës dhe rritjes ekonomike në këtë bashki. Ekipi i monitorimit shqyrtoi sfidat dhe sukseset e secilit projekt dhe ofroi rekomandime të vlefshme për të ardhmen.

Gjatë vizitës së tyre në Pazarin e Vjetër në Krujë, ekipi u takua me artizanët pjesë të projektit “Artizanat mes së shkuarës dhe së ardhmes” të zbatuar nga Fondacioni Progress. Ky ndërveprim ofroi një mundësi të vlefshme për të mësuar mbi sfidat e përditshme me të cilat përballen artizanët dhe për të kuptuar se si përvetësimi i aftësive digjitale dhe të forcimit të markës së tyre i ka ndihmuar ata të zgjerojnë biznesin.

OJQ-ja CHwB ndau përvojën e saj në krijimin e katër librave edukativë për fëmijë që shpjegojnë konceptet komplekse të siteve të trashëgimisë kulturore në një gjuhë të thjeshtë, duke synuar rritjen e interesit të të vegjëlve mbi trashëgiminë dhe historinë e pasur të Shqipërisë.

U zhvilluan diskutime edhe me përfaqësues të OJQ-së TID Kruja, të cilët ndanë iniciativat dhe arritjet e tyre, siç ishte organizimi i një trajnimi për artizanët dhe prokurimi i pajisjeve që do t’i ndihmojnë ata në krijimin e produkteve tradicionale. Makineritë e reja, duke përfshirë dy makina për prodhimin e qilimave të hollë të punuar me dorë, një makinë qepëse me funksione manuale dhe automatike dhe një makinë për gdhendjen e drurit, do të lehtësojnë punën e artizanëve dhe do të përmirësojnë produktet e tyre. Gjithashtu, TID Kruja po bashkëpunon me bashkinë Krujë për të organizuar aktivitete të ndryshme si festivale dhe panaire për promovimin e trashëgimisë kulturore.

Vizita monitoruese u mbyll me një takim me përfaqësues të OJQ-së IP3, e cila është në fazën e përfundimit të dy studimeve mbi trashëgiminë kulinare dhe kulturore të rajonit. Këto studime synojnë zhvillimin e dy rrugëve tematike në Durrës, Kavajë, Rrogozhinë dhe Krujë. Njëra rrugë fokusohet në monumentet kulturore dhe historike, ndërsa tjetra do të nxjerrë në pah traditat lokale të kuzhinës, duke i lejuar vizitorët të përjetojnë pasurinë e trashëgimisë të zonës lokale.