Ambasadorja e BE-së dhe Ministrja e Kulturës vizitojnë dy objekte të trashëgimisë kulturore pjesë e programit EU4Culture


February 2, 2023

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së, Fiona McCluney dhe Drejtuesja e UNOPS Shqipëri, Pamela Lama, vizituan së bashku Muzeun Historik Kombëtar  dhe Godinën e Ish të Përndjekurve, dy site të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Tiranë që aktualisht po restaurohen në kuadër të programit #EU4Culture.

Specialistë të EU4Culture informuan vizitorët për historinë e këtyre objekteve si dhe për punimet e vazhdueshme të konservimit. 

Restaurimi është drejt fazës përfundimtare në Mozaikun e fasadës së Muzeut Historik Kombëtar dhe kjo vepër ikonike artistike do të zbulohet së shpejti për publikun. 

Mozaiku i Fasadës së Muzeut Historik Kombëtar   

Mozaiku ikonë i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar përfaqëson një nga shembujt më të mirë të realizmit socialist shqiptar. I realizuar në vitin 1981, ai pasqyron momente të rëndësishme në shtegun historik të vendit duke filluar nga antikiteti deri në epokën komuniste. Me një sipërfaqe totale prej 565 m2, mozaiku përfaqëson një nga ndërhyrjet më komplekse. Krijimi dhe zbatimi i tij përfshiu artistët më të talentuar dhe të njohur të kohës si Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini, Aleksandër Filipi. 

Muzeu Historik Kombëtar ishte një nga objektet e shumta historike në Tiranë dhe zonat përreth, të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 në Shqipëri. 

Ndërhyrja ne Muze po zhvillohet në dy faza:

  1. Restaurimi i mozaikut dhe çatisë (për të shmangur rrjedhjet dhe dëmtimin e mëtejshëm të tij)
  2. Zhvillimi i një projektit-dizajni të ri për të gjithë Muzeun dhe rinovimi i plotë i disa pavioneve

Për të siguruar rezultate sa më të mira të konservimit, para fillimit të punimeve, EU4Culture bashkëpunoi me tre artistë dhe disa anëtarë të ekipit të zbatimit që kanë punuar për Mozaikun origjinal në vitet 1980. Ata u ftuan për konsultime për të gjetur qasjen më të mirë ndaj ruajtjes, duke marrë parasysh teknikat origjinale, materialet e përdorura dyzet vjet më parë dhe zhvillimet aktuale teknologjike të ruajtjes dhe restaurimit.

Godina e Ish të Përndjekurve

Godina e Ish të Përndjekurve u ndërtua në vitet 1930 dhe fillimisht ka shërbyer si selia e Ambasadës Italiane. Në vitet 1940 ndërtesa u zgjerua për të pritur Shtabin e Veteranëve të Luftës dhe një numër shoqatash ndërkombëtare miqësie me vende të ndryshme. Në vitin 2007 godina mori statusin e mbrojtjes “Monument Kulture i Kategorisë së Dytë” dhe aktualisht u shërben dy institucioneve të rëndësishme, Institututit të Ish-të Përndjekurve Politikë dhe Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Ndërtesa u dëmtua gjatë tërmetit të vitit 2019 dhe EU4Culture po kryen punime tërësore për restaurimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së saj.