Studentët shqiptarë dhe austriakë mësojnë për artefaktet nëpërmjet trajnimit 


November 14, 2022

Përgjatë tre javëve të fundit të shtatorit Muzeu Etnografik i Krujës ngjante me një zgjua bletësh! Më shumë se 25 studentë nga Universiteti i Vjenës dhe Tiranës punuan së bashku nga agimi deri në muzg duke pastruar dhe depozituar artefaktet. Muzeu ka më shumë se 1000 objekte me vlerë të cilat duhet të pastrohen dhe konservohen për riekspozimin e tyre pas përfundimit të rinovimit. Ky proces kërkonte një numër të madh ekspertësh, prandaj EU4Culture doli me një ide që i jepte zgjidhje mungesës së ekspertëve dhe ofronte një mundësi të shkëlqyer për ndërtimin e kapaciteteve vendase. Punëtoria, e organizuar në kuadër të programit EU4Culture, u dha konservatorëve të rinj mundësinë për të “mësuar duke vepruar” dhe për të zbatuar njohuritë teorike në praktikë duke punuar së bashku.

Së pari, studentët që punonin nën mbikëqyrjen e konservatorëve me përvojë i ndanë artefaktet në kategori bazuar në përbërjen e tyre. Të gjitha llojet, duke filluar nga guri, druri, tekstili, qelqi e deri te qeramika, kërkonin një qasje të specializuar dhe konservatorët që punojnë në pastrimin dhe konsolidimin e tyre duhet të kenë aftësi dhe njohuri specifike për t’i trajtuar ato siç duhet. Pasi u pastruan, objektet u paketuan për t’u ruajtur derisa muzeu të restaurohet. Paketimi gjithashtu ka nevojë për kujdes të veçantë pasi për të duhet të përdoren materiale që nuk i dëmtojnë. Për shembull, për të paketuar objekte tekstili duhet të përdoret vetëm letër e butë pa acid. Kështu, një nga kostumet tradicionale u dëmtua dhe do t’i dërgohet Institutit të Arteve të Aplikuara në Vjenë për t’u riparuar me materiale autentike e për tu rikthyer më pas në muzeun e Krujës.

“Nëpërmjet të mësuarit praktik studentët kanë mundësinë unike për të zbatuar njohuritë e tyre dhe për të realizuar procese që nuk do të kishin mundësi t’i bënin në klasë. Puna në terren së bashku me ekspertët do t’i ndihmojë ata të fitojnë aftësi të reja dhe të hyjnë në tregun e punës më lehtë dhe me më shumë siguri. Kjo përvojë do t’i ndihmojë ata të diversifikojnë mundësitë e punës, të krijojnë mundësi për rritje profesionale dhe punë të denjë. Shpresojmë që shumë prej tyre të bëhen ekspertë të njohur që do të ndihmojnë në ruajtjen dhe avancimin e ekspertizës vendase dhe rritjes ekonomike” – vuri në dukje Pamela Lama, Menaxhere e UNOPS në Shqipëri.