14 Qershor 2022 – Janez Lenarčič, Komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Krizave viziton Torrën Veneciane
Janez Lenarčič, Komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Krizave, dhe Alexis Hupin, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, vizituan Torrën Veneciane, një nga sitet e trashëgimisë kulturore që po restaurohet në kuadër të programit EU4Culture, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Skuadra e UNOPS në Shqipëri e udhëhequr nga Drejtuesja, Pamela Lama, prezantoi ecurinë e punimeve të konservimit dhe informoi mbi menaxhimin e trashëgimisë kulturore, dixhitalizimin dhe komponentët e granteve të projektit.
Torra Veneciane është një monument kulture i kategorisë së parë dhe është një nga strukturat më interesante historike të Durrësit. Ishte pjesë e kalasë bizantine të Durrësit, e cila konsiderohej si një nga kështjellat më të fuqishme të bregut perëndimor të detit Adriatik. Kalaja u ndërtua nga perandori bizantin Anastasius I (491–518), i cili mendohet se vinte nga Durrësi (Dyrrachium i lashtë), ndërsa torra veneciane u ndërtua në majë të kullës bizantine rreth shekullit XV, e pajisur me topa që mbronin qytetin nga deti. Në fakt, ajo u ndërtua si një kullë e veçantë për artilerinë, kur artileria fitoi popullaritet në Shqipëri. Ishte një pikë qendrore vëzhgimi e zonës.
Përveç punimeve të restaurimit, EU4Culuture po punon për shndërrimin e torrës në një qendër inovative dhe unike të interpretimit të trashëgimisë, e cila do të përdorë mjete të ndryshme komunikimi për të përmirësuar të kuptuarit e trashëgimisë. Ajo do ju ofroj vizitorëve një mundësi për të përjetuar dhe “rijetuar” historinë përmes performancave dixhitale, turneve të realitetit virtual, efekteve audio, periskopëve në tarracën e sitit dhe komponentëve të tjerë dixhitalë dhe multimedialë. Kjo do ta bënte torrën një atraksion kryesor turistik dhe një pikë hyrjeje për të eksploruar pamjet kulturore dhe historike të Durrësit.