Zbulimi i Mirditës: Thesari i fshehur i Shqipërisë i shfaqur në panairin Tourism and Travel Show


February 9, 2024

Mirdita, një zonë mahnitëse e vendosur në veri të Shqipërisë, nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga turistët vendas dhe të huaj prej një kohe të gjatë. Ky vend njihet për peisazhet piktoreske, trashëgiminë e pasur kulturore, traditat shekullore dhe kuzhinën e veçantë.

Panairi “Tourism and Travel Show”, i mbajtur në Pallatin e Kongreseve në datat 31 janar – 1 shkurt, shërbeu si platforma ideale për të sjellë Mirditën në fokusin e agjencive turistike si një destinacion i ri që ofron një pasuri përvojash kulturore.

Qendra Shqiptare për Arsimin, Turizmin dhe Sipërmarrjen (CEAPAL), një nga organizatat përfituese të granteve, mbështetur nga programi EU4Culture, organizoi një event të quajtur “Mirdita drejt zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm” në kuadër të panairit “Tourism & Travel Show”. Me synimin për të tërhequr turistët në këtë zonë, përfituesit e grantit të EU4Culture prezantuan itenerearet e reja të trashëgimive kulturore. Këto itenerare dhe aktiviteti, i cili përmblodhi në një panel diskutimi ekspertë të zhvillimit të turizmit dhe përfaqësues nga bashkia Mirditë, ngjalli interes të madh tek operatorët turistikë të cilët e mikpritën mundësinë për të propozuar atraksione të reja dhe përvoja kulturore për klientët e tyre.

“Gjatë zhvillimit të itenerareve tona të trashëgimisë kulturore, përfshimë të gjithë komunitetin. Përfaqësues nga bashkia, shoqëria civile dhe sektori privat, si dhe artizanë, entuziastë të trashëgimisë kulturore, historianë dhe qytetarë të interesuar kontribuan në realizimin e kësaj nisme. Mirdita ka një mori atraksionesh dhe jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të shfaqur ato çka ofron për turistët dhe për ta vendosur atë në hartë si një destinacion që ia vlen të vizitohet”, shpjegoi Amalinda Bediava, menaxhere e programit CEAPAL.

“Mirdita shquhet për peizazhet e saj piktoreske, trashëgiminë e pasur kulturore, traditat shekullore dhe kuzhinën e veçantë. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin tonë me UNOPS nëpërmjet projektit EU4Culture të financuar nga BE. Ky partneritet po na ndihmon të shfrytëzojmë potencialin turistik të rajonit tonë. Ne besojmë se mikpritja e më shumë vizitorëve, si nga brenda ashtu edhe jashtë vendit, do të sjellë ndryshime pozitive në komunitetet tona duke nxitur ekonominë tonë vendase dhe duke krijuar mundësi të reja pune”, theksoi Albert Mëlyshi, kryebashkiaku i Mirditës.

Më pas, një performancë nga valltarë të veshur me kostume tradicionale i dhuroi shumë ngjyra eventit. Kjo nismë vendase është një nga pesë projektet e zbatuara në Mirditë, të mbështetura nga programi i granteve të EU4Culture. Qëllimi i tyre është zhvillimi i kapaciteteve dhe krijimi i një rrjeti artizanësh vendas, guidash turistike dhe ekspertësh të trashëgimisë kulturore me qëllimin e përbashkët të rigjallërimit të rajonit dhe krijimit të mundësive të reja të të ardhurave përmes promovimit të turizmit lokal si dhe praktikave artizanale. Partnerët vendas të EU4Culture po punojnë ngushtë me komunitetet dhe bashkinë për të zhvilluar potencialin turistik kulturor të Mirditës. Këtu përfshihet trajnimi i artizanëve për të filluar biznese të vogla, zhvillimi i planeve të biznesit, përmirësimi i shitjeve dhe promovimit, krijimi i rrugëve dhe shtigjeve të reja turistike dhe promovimi i turizmit kulturor si në nivel vendas ashtu edhe në nivel kombëtar. Në Nëntor të vitit 2023, EU4Culture organizoi për herë të parë Panairin e Artizanatit në Mirditë. Kostume tradicionale shumëngjyrëshe, specialitete vendase të gastronomisë dhe vepra të bukura artizanale të krijuara përgjatë muajve të zbatimit të programit të granteve u prezantuan me krenari në sheshin kryesor përballë bashkisë Mirditë.

Kjo nismë është frymëzuar nga Kisha e Manastirit të Rubikut që ndodhet në Mirditë, e para nga trashëgimitë kulturore dhe thesaret historike të Shqipërisë e cila është restauruar në kuadër të programit EU4Culture. Kjo kishë mahnitëse dëshmon një histori të pasur, me pjesë të mbetura të cilat datojnë që nga shekulli i XIII. Pas punimeve të suksesshme restauruese në kishë, konservimi i pikturave murale të saj do të jetë hapi tjetër kryesor. Mbishkrimet në këto piktura, të cilat datojnë në vitin 1272, ofrojnë njohuri të paçmueshme për vjetërsinë dhe rëndësinë e kishës.