Transformimi i Muzeut Arkeologjik të Durrësit në një qendër moderne arsimore


November 14, 2022

14 Tetor 2022

Muzeu Arkeologjik i Durrësit mikpriti një aktivitet zyrtar për të shënuar fillimin e punimeve të restaurimit në kuadër të projektit EU4Culture, financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga UNOPS Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Aktiviteti bëri së bashku përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Delegacioni i BE-së, UNOPS-it, zyrtarë nga bashkia e Durrësit, përfaqësues të medias dhe ekspertë nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

“Programi EU4Culture është një investim prej 40 milionë eurosh që BE i ka sjellë Shqipërisë për të trajtuar çështjen e tërmetit lidhur me dëmtimin e objekteve të trashëgimisë kulturore. Të gjithë ndajmë të njëjtin mendim kur themi se ky program ka të bëjë me rindërtimin dhe shumë më tepër – ka të bëjë me rikonceptualizim përmes inovacionit dhe kjo qasje do të përdoret për muzeun e Durrësit në një mënyrë të tillë që respekton trashëgiminë kulturore, sjell elemente më novatore përmes IT dhe përvoja të reja për turistët. Dhe bëhet fjalë pikërisht për të kaluarën që ne duam t’i rikthejmë bukurinë origjinale duke e respektuar dhe duke ia servirur brezit të ardhshëm.” tha Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit është një nga objektet e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, që do të restaurohet në kuadër të projektit EU4Culture të financuar nga BE, zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës. Ai është muzeu arkeologjik më i madh në vend me një koleksion të gjerë të përbërë nga më shumë se 3000 artefakte të zbuluara në zonën e lashtë të Dyrrahut, gjë që tregon për zhvillimin e qytetit të Durrësit gjatë antikitetit të vonë dhe periudhës mesjetare. 

Pas rinovimit, Muzeu do të ketë një pamje moderne dhe do të shndërrohet në një qendër moderne arsimore që do t’i lejojë vizitorët të zhyten dhe përjetojnë historinë e lashtë përmes tregimit klasik, teknologjisë së lartë, realitetit virtual dhe mjeteve multimediale. Vizitorët do të jenë në gjendje të lundrojnë në historinë e lashtë të Durrësit duke eksploruar rrugë të riskicuara, të mrekullohen me thesaret e reja të zbuluara gjatë misioneve të fundit arkeologjike nënujore dhe të mblidhen së bashku për ngjarje dhe shfaqje kulturore nën një hapësirë urbane në natyrë tërësisht të ridizajnuar. 

 ***

Në nëntor të vitit 2019, Shqipëria u godit nga tërmeti më vdekjeprurës i vendit në 50 vitet e fundit. I vlerësuar me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter, tërmeti shkaktoi dëme të mëdha në 11 komuna. Projekti EU4Culture financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. Ai fokusohet në rinovimin dhe rivitalizimin e vendeve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuar nga Bashkimi Europian me një buxhet total prej 40 milionë euro. 

Paralelisht, projekti synon të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në rimëkëmbjen ekonomiko-sociale lokale dhe rajonale. Për këtë qëllim, fokus i veçantë i kushtohet teknologjisë inovatore, përfshirë tregimin dixhital dhe krijimin e produkteve multimediale të dizajnuara për të qenë të aksesueshme nga kushdo.