Teknologjia moderne revolucionarizon restaurimin e dorëshkrimeve të rralla


April 23, 2024

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë mban disa nga tekstet më të nderuara në vend, duke përfshirë një vepër të vitit 1531 të Papa Piut II të titulluar “Një përshkrim i mrekullueshëm, plot elegancë dhe hijeshi të Azisë dhe Evropës”. I shkruar në latinisht përpara papatit të tij Enea Silvio Piccolomini, ky libër me 499 faqe fitoi rëndësi pas vdekjes. Udhëtimi i tij nga Italia mesjetare në Shqipëri është i mbuluar me mister, i ndikuar nga konfiskimet gjatë regjimit komunist dhe supozohet se dikur i përkiste klerit katolik ose fisnikërisë shqiptare.

Papa Piu II, një humanist i shquar që kërkoi të bashkonte Evropën kundër kërcënimit osman gjatë viteve 1458–1464, është vetëm një nga shumë humanistët evropianë të përfaqësuar në koleksionin e bibliotekës. Një pjesë tjetër e dukshme është një Bibël e vitit 1645 me një parathënie nga Erasmus i Roterdamit, një studiues kyç i Rilindjes. “Kjo bibliotekë, një nga më të pasurat në Ballkan, përmban koleksione të gjera nga periudha e Rilindjes Evropiane, Bizantine dhe Osmane. Vetëm koleksioni ynë venecian përfshin 1200 libra, dorëshkrime dhe harta”, shpjegon Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Fondi  i bibliotekës përfshinë Bibla, Kuranë dhe vepra të Aristotelit, Diderotit dhe Rusos, në gjuhë që variojnë nga greqishtja dhe latinishtja në turqishten osmane. Misha thekson, ‘Misioni ynë nuk është vetëm t’i ruajmë këto thesare, por edhe t’i bëjmë ato të arritshme pasi ato mishërojnë vlera universale.’

Vitin e kaluar, EU4Culture pajisi Qendrën ‘Sotir Kolea’ të Bibliotekës Kombëtare me pajisje restauruese moderne, duke përfshirë skaner librash dhe barkode, laptopë, tableta,fshesa me korent të specializuar, dezinfektues, pastrues librash dhe makina deacidifikimi. Këto pajisje kanë revolucionarizuar mënyrën se si librat janë restauruar dhe ruajtur.

“Procesi i restaurimit zgjati më shumë. Ekspertët tanë duhej t’i pastronin manualisht librat me furça me qime kali, të cilat janë mjaft të buta për të mos dëmtuar letrën. Tani, ne kemi një makinë që mund të pastrojë disa libra nga pluhuri, kërpudhat, myku dhe mikroorganizmat në 15-20 minuta. E njëjta gjë vlen edhe për dezinfektimin; ndërsa më parë duhet të kalonim librat faqe për faqe pas çdo ekspozite, tani ka një pajisje që mund të dezinfektojë 50-80 libra në dy deri në tre orë. Në një vit, ne kemi restauruar dhe mirëmbajtur pothuajse 600 libra, dokumente ose botime nga vitet 1700 deri në vitet 1940. Pajisjet kanë përshpejtuar ndjeshëm proceset e restaurimit” vëren Antonio Çikollari, përgjegjës i Sektorit të Mirëmbajtjes së Librit në Qendrën “Sotir Kolea”.