Rikthimi i së Shkuarës, Frymëzim për të Ardhmen në Muzeun Etnografik të Kavajës


May 18, 2025

Në lagjen Skuraj të Kavajës, një banesë njëkatëshe e ndërtuar në vitin 1800 ka ruajtur për breza të tërë histori të rrëfyera brez pas brezi. Me dy krahët simetrikë, strukturën origjinale prej druri dhe oborrin e ndriçuar nga dielli, ndërtesa është një nga të paktat struktura të mbetura që pasqyrojnë arkitekturën tradicionale të zonës. Fillimisht një shtëpi familjare, dhe që prej vitit 1971 Muzeu Etnografik i Kavajës, ajo ruan sot kujtimet dhe historinë e jetës së përditshme të shqiptarëve.

Me kalimin e viteve, ndërtesa pësoi dëmtime. Tërmeti i vitit 2019 në Shqipëri shkaktoi dëmtime serioze, duke çarë muret, shkaktuar rrjedhje uji dhe zhvendosur strukturën, duke e bërë ndërtesën të pasigurt. Por në vend që të mbyllej përgjithmonë, muzeu nisi një kapitull të ri. Falë programit EU4Culture, të financuar nga Bashkimi Evropian, muzeu jo vetëm u restaurua, por u gjallërua dhe rikonceptua, duke u bërë më tërheqës për çdo vizitor.

“Muzeu kontribuon në ruajtjen e identitetit të qytetit dhe banorëv të tij,” thotë Stefanaq Sotja, drejtori i muzeut. “Ne mbajmë kontakte të ngushta me artizanët e Kavajës, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të mësojnë nga afër për zanatet tradicionale dhe mënyrat e kaluara të jetesës.”

Restaurimi nuk u kufizua vetëm në riparimin e ndërtesës, por përfshiu edhe një rishikim të mënyrës se si muzeu mund t’i shërbejë komunitetit në të ardhmen, duke ruajtur njëkohësisht autenticitetin e tij. Ndërtesa u restaurua duke përdorur teknika tradicionale, me materiale vendase dhe mjeshtër lokalë të përfshirë sa herë që ishte e mundur. Edhe tullat prej dheu e kashte të tharë në diell, u prodhuan me dorë për t’u përshtatur me origjinalet, sipas të njëjtës tipologji të përdorur posaçërisht për këtë ndërtesë. Strukturat prej druri, dritaret origjinale dhe teknikat tradicionale të suvatimit u restauruan me kujdes, duke ruajtur shpirtin e ndërtesës.

“Një nga sfidat më të mëdha gjatë punimeve ishte mbrojtja e artefakteve me vlerë e delikate të muzeut. Për këtë arsye, u vendosën katër kontenierë, me klimë të kontrolluar, në oborr, për të ruajtur objektet me siguri deri në përfundimin e brendësisë,” thotë Lejla Hadzic, Këshilltare për Trashëgiminë Kulturore e EU4Culture.

Paketimi dhe konservimi i artefakteve u udhëhoq nga ekspertë ndërkombëtarë të Institutit të Konservimit të Universitetit të Arteve të Aplikuara në Vjenë, si dhe ekspertë kombëtarë nga Universiteti i Tiranës, Muzeu Etnografik i Kavajës dhe Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore. Ishte një përvojë e veçantë mësimore. Studentët e Universitetit të Tiranës u përfshinë përmes punëtorive praktike në dokumentimin, evakuimin dhe ruajtjen e objekteve delikate duke fituar aftësi praktike dhe duke forcuar ekspertizën vendase, veçanërisht në ruajtjen e tekstileve.

Misioni për të forcuar edukimin vazhdon, pasi muzeu bashkëpunon ngushtë me shkollat fillore dhe të mesme të qytetit, duke përfshirë brezin e ri në ruajtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore.

Ekspozitat e Muzeut Etnografik të Kavajës u ridizenjuan gjithashtu, duke përfshirë prezantime të përmirësuara të objekteve, elementë multimedialë dhe ndërveprues, duke e bërë muzeun më të aksesueshëm, veçanërisht për vizitorët e rinj. Sot, vizitorët mund të eksplorojnë ekspozitat e ridizenjuara nëpërmjet teknologjisë multimediale, ndriçimit të përmirësuar dhe ekraneve digjitale.

Sipas drejtorit të muzeut: “Pas rihapjes, reagimet nga komuniteti lokal dhe turistët kanë qenë shumë pozitive dhe ne gjithmonë gëzohemi kur lexojmë librin e përshtypjeve. Kjo është rezultat i një pune shumë të mirëmenduar, pasi ruajtja e autenticitetit të dhomave, restaurimi i objekteve, rikonceptimi i linjës kuratoriale të ekspozitës dhe përfshirja e elementëve digjitalë e kanë bërë këtë muze mjaft tërheqës.”

Ndër shumë objekte të ekspozuara, dy spikasin për zotin Sotja: një dhuratë nga një familje nga veriu – një xhaketë gruaje nga Shkodra, e qëndisur me motive të lashta ilire – dhe një mjet prej druri për përgatitjen e bukës, një simbol i thjeshtë, por i fuqishëm i aftësive dhe bujarisë së trashëguar ndër breza.

“Çfarë shpresoj që vizitorët të ndjejnë kur dalin nga muzeu? Një ndjenjë lidhjeje dhe një vlerësim më të thellë për historinë tonë të pasur. Dhe natyrisht, dëshirën për t’u kthyer,” – shton ai.

Këtë vit, ndërsa shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Muzeve 2025 me temën “E ardhmja e muzeve në komunitete që ndryshojnë me shpejtësi”, Muzeu Etnografik i Kavajës qëndron si shembull i mënyrës sesi muzetë mund të jenë hapësira dinamike për mësim, ruajtje të trashëgimisë dhe zhvillim të komunitetit. Dhe ne, në UNOPS, jemi shumë krenarë që kontribuojmë në këtë qëllim. Zbatimi i punimeve nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe bujarinë e Bashkimit Evropian.

Në Kavajë, e kaluara nuk është thjesht e ruajtur, ajo bëhet pjesë e së ardhmes.