9 Korrik 2021 – Programi EU4Culture


July 14, 2021

Tiranë, 9 korrik 2021

Programi “EU4Culture” financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, me një buxhet total prej 40 milionë euro. Qëllimi i tij është të restaurojë sitet e trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. Krahas restaurimit, projekti do të investojë në rijetësimin e zonës, gjë që do të kontribuojë në rimëkëmbjen social-ekonomike të Shqipërisë duke përmirësuar potencialin e saj turistik. Ai gjithashtu do të mbështesë komunitetet vendase me grante, do të sjellë standarde dhe ekspertizë ndërkombëtare dhe të BE-së, si dhe do të ofrojë mbështetje teknike për institucionet shqiptare.

“EU4Culture” do të forcojë gjithashtu përpjekjet e Shqipërisë drejt arritjes së një sërë Objektivash të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) duke përfshirë OZHQ 8 (rritja ekonomike), OZHQ 9 (infrastruktura dhe industria), OZHQ 11 (zhvillimi urban dhe rural) dhe OZHQ 17 (partneriteti i rigjallëruar global), si dhe të politikave përkatëse të BE-së në sektorin e trashëgimisë kulturore, duke përfshirë Kornizën e BE-së për Trashëgiminë Kulturore.

Diskutimi i palëve të interesit me profesionistë të fushës u organizua më 9 korrik 2021 në funksion të propozimeve të konservimit dhe rijetësimit të ndërhyrjeve për 6 site të trashëgimisë kulturore: Muzeun Etnografik në Krujë, Torrën Veneciane dhe Hamamin në Durrës, Muzeun Etnografik në Kavajë, Teatrin Kombëtar të Kukullave dhe Urën e Kurçajt.

Palët e interesit të projektit dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore të profileve të ndryshme u ftuan të ndajnë pikëpamjet dhe të diskutojnë ndërhyrjet e propozuara. Masat e propozuara të ruajtjes dhe rijetësimit për sitet në fjalë synojnë përmirësimin e përgjithshëm të gjendjes dhe qëndrueshmërisë së ndërtesave dhe siteve historike në aspektin e gatishmërisë kundrejt rrezikut dhe fatkeqësive. Përdorimi i qëndrueshëm dhe i përgjegjshëm i aseteve të trashëgimisë kulturore çon në ruajtje më të mirë dhe mund të bëhet burim frymëzimi dhe krijimi kulturor për anëtarët e komuniteteve vendase, artizanët, artistët, zejtarët dhe të gjithë ata që duan të angazhohen.

Gjatë fjalës së saj Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti u shpreh:

“Është e vërtetë që ky fond u nda në rrethana të jashtëzakonshme, por këtë situatë jonormale kishim për detyrë jo vetëm ta kthenim në normalitet, por të krijonim një mundësi për të rigjallëruar jo vetëm strukturat, por edhe të gjithë zonën përreth monumenteve të përfshira në listën prioritare të Programit “EU4Culture”. Por çfarë nënkuptojmë kur flasim për rijetësim? Rijetësim nuk do të thotë vetëm rindërtim i mureve, por restaurimi i tyre.

Do të thotë t’i shndërrosh këto objekte në atraksione kulturore dhe turistike, duke kërkuar ndihmë nga teknologjia, përqasja bashkëkohore muzeale, e cila ka fuqinë t’i flasë të gjithëve në gjuhën e kohës, e cila i magjeps të rinjtë me imagjinatën dhe krijimtarinë e tyre; që tërheq vëmendjen e fëmijëve për të njohur më mirë vendin e tyre. Por mbi të gjitha, do të thotë krijimi i një çelësi për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të komuniteteve vendase.”

Gjatë takimit të palëve të interesit, Drejtoresha e UNOPS në Shqipëri, znj. Pamela Lama dhe anëtarë të tjerë të ekipit të UNOPS-it ndanë ndërhyrjet e në sitin e propozuar.

Zonja Lama deklaroi se të gjitha sitet e projektit do t’i nënshtrohen disa fazave të ndërhyrjes, duke filluar nga restaurimi dhe konservimi i strukturës, interpretimi, menaxhimi i trashëgimisë kulturore dhe planifikimi i biznesit e menaxhimi i riskut nga fatkeqësitë. “Në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, ne do të punojmë për zhvillimin e modeleve të reja të shfrytëzimit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të trashëgimisë që po kontribuon në zhvillimin ekonomik lokal dhe kombëtar.”

Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së, z. Andrea Marco Vera, nënvizoi se “EU4Culture në një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të hartuar nga Bashkimi Evropian për sa i përket numrit të monumenteve dhe fondeve të përfshira. EU4Culture do të ndihmojë në përmirësimin e zgjerimit dhe atraktivitetit të këtyre siteve dhe do të jetë shumë gjithëpërfshirëse me komunitetin e trashëgimisë kulturore shqiptare si historianë, arkeologë apo arkitektë me njohuri të paçmueshme.