Një vit me progres të jashtëzakonshëm!


December 29, 2023

27 dhjetor 2023

Viti i ri është mundësia e përkryer për të reflektuar mbi vitin që shkoi, mësimet e marra, konsolidimin e partneriteteve ekzistuese dhe krijimin e atyre të reja.

Viti 2023 ishte një vit sfidues, megjithatë ekipi ynë, në bashkëpunim me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, arritën rezultate të jashtëzakonshme dhe ndihmuan Shqipërinë të përparojë në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Mikpritëm zyrtarë të lartë, si Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, dhe Edi Ramën, Kryeministri i Shqipërisë, përuruam site ikonë, krijuam qendrën e parë shqiptare të interpretimit të trashëgimisë kulturore, si dhe mbështetëm qindra artizanë, aktivistë të shoqerisë civile dhe anëtarë të komuniteteve nëpërmjet programit tonë të Granteve. 

Si rrjedhojë e punës sonë të përbashkët, si qytetarët e Tiranës, ashtu edhe turistët vendas e të huaj tani mund të shijojnë  mozaikun  e restauruar “Shqipëria” i cili zbukuron Muzeun Historik Kombëtar.

Një perlë kulturore e Durrësit, Torra Veneciane e restauruar ka hapur dyert e saj, ku ofrohet një përvojë unike multimediale duke i lejuar vizitorët të zhyten në historinë e lashtë dhe ta përjetojnë atë nga afër përmes mjeteve të realitetit virtual.

Ura e restauruar e Kurçajt i është rikthyer sërish komunitetit dhe tani shërben si një pikë referimi e rëndësishme kulturore, duke tërhequr turistët, si dhe po ndihmon në rijetësimin e zonës dhe nxitjen e zhvillimit social-ekonomik.

Pas vitesh braktisjeje, ish-Arqipeshkvia e restauruar e Durrësit në Delbnisht (Laç) tashmë shërben si një qendër e rëndësishme kulturore dhe fetare, duke ofruar një hapësirë për lutje dhe reflektim për besimtarët dhe banorët e komunitetit.

Fondi i Bibliotekës Kombëtare Shqiptare tashmë mund të ruajë më mirë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë falë pajisjeve të reja të cilësisë së lartë dhe moderne.

Nëpërmjet programit tonë të Granteve, bashkëpunuam me përfaqësues të komuniteteve, artizanë dhe aktivistë vendas, si dhe mbështetëm 24 nisma me qëllim promovimin e turizmit kulturor si një faktor drejtues për nxitjen e ekonomisë vendase dhe gjenerimin e të ardhurave.

Duke punuar ngushtë me gazetarë dhe opinionistë, ndërgjegjësuam mijëra njerëz mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore për identitetin kulturor.

Me qëllim për të ndërtuar kapacitete dhe për të ndarë njohuritë dhe ekspertizën tonë, mikpritëm një numër të madh studentësh në sitet tona, ku patën mundësinë të merrnin ekspertizë dhe të frymëzoheshin për të ndjekur karrierën në fushat e rinovimit dhe restaurimit.

Viti i ri është gjithashtu një mundësi për të falenderuar.

Të gjitha këto arritje nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen dhe përpjekjet e përbashkëta të partnerëve dhe bashkëpunëtorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, në veçanti Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Ministria e Kulturës me institucionet e saj të varësisë. I jemi mirënjohës dhe kryetarëve dhe zyrtarëve të bashkive, organizatave të shoqërisë civile, gazetarëve, opinionistëve, studentëve, artizanëve dhe mijëra inxhinierëve, studiuesve, restauruesve dhe punëtorëve që dita-ditës u angazhuan për restaurimin dhe ruajtjen e thesareve kulturore të Shqipërisë.