Mozaiku “Shqipëria” rifiton shkëlqimin e dikurshëm
Tiranë, 17 maj 2023
Mbrëmë, u përurua Mozaiku i restauruar në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, në sheshin Skënderbej. Ceremonia qe pjesë e festimeve të Javës së Evropës dhe bëri së bashku përfaqësues të Delegacionit të BE-së, Ministrisë së Kulturës, OKB-së, UNOPS-it, përfaqësues të mediave, specialistë të trashëgimisë kulturore, zyrtarë të tjerë të lartë dhe autorë të Mozaikut.
Mozaiku në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar konsiderohet si një nga veprat më të mira të realizmit të vonë socialist shqiptar. I vendosur në vitin 1981, ai shfaq në sipërfaqen prej 565 m2, disa nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit, që nga antikiteti deri në periudhën komuniste. Dizajni i tij i ndërlikuar është punuar nga artistë të njohur të kohës si Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi.
Në nëntor të vitit 2019, Shqipëria u godit nga tërmeti më vdekjeprurës në 50 vitet e fundit. Efektet e tij shkaktuan dëme të mëdha në 11 bashki, duke përfshirë objekte të shumta të trashëgimisë kulturore, ku një prej tyre ishte Mozaiku. Në përgjigje të kësaj krize, Bashkimi Evropian nisi projektin EU4Culture, të zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. Ky projekt fokusohet në rinovimin dhe rijetëzimin e objekteve të trashëgimisë kulturore që u dëmtuan nga tërmeti dhe është një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuara nga BE në mbarë botën, me një buxhet total prej 40 milionë euro.
“Prej shumë vitesh ruajtja dhe restaurimi i mozaikut është shoqëruar me debate. Ka pasur nga ata që donin ta hiqnin atë nga kjo fasadë, por është e lehtë të shembësh të kaluarën në emër të së tashmes, por ruajtja e kujtesës, e së kaluarës me të gjitha të mirat dhe të këqijat, është jetike për çdo popull; një katharsis i nevojshëm për rrugëtimin drejt së ardhmes.
Ky restaurim u mundësua nga programi EU4Culture; një program i financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga UNOPS, jo vetëm si një ndihmë, por edhe si konfirmim i udhës drejt familjes europiane.” – tha Elva Margariti, Ministre e Kulturës së Shqipërisë
“Sot është një moment që e prisnim prej kohësh – përurimi i mozaikut të restauruar. Falë punës së mahnitshme të restauratorëve dhe ekipit të EU4Culture, Tiranës i’u rikthye një nga monumentet e saj më të rëndësishme. Jemi krenarë që po e ndihmojmë Shqipërinë në ruajtjen e trashëgimisë së saj kulturore. Sot po çelim gjithashtu edhe Javën e Evropës nën moton: ‘Aftësitë e tua, e ardhmja jote’. Mozaiku është restauruar me kujdes nga një ekip i talentuar specialistësh dhe studentësh të rinj shqiptarë. Kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë së bashku: zhvillojmë aftësitë për Shqipërinë, me shqiptarët, për ta bërë atë anëtare në BE”, – Christiane Hohmann, Ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
“Në UNOPS ne jemi jashtëzakonisht krenarë që jemi partner të besuar të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Shqipërisë në zbatimin e një projekti kaq të rëndësishëm që synon rigjallërimin e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe krijimin e mundësive ekonomike për komunitetet lokale.” – Freya von Groote, Drejtuesja e Zyrës Rajonale të UNOPS në Austri.
Informacion shtesë
Në maj të vitit 2021, EU4Culture krijoi atelienë, që do t’i shërbente restaurimit të mozaikut, duke formuar një ekip ekspertësh multidisiplinor të përbërë nga inxhinierë, teknologë, specialistë të konservimit, restaurator dhe artistë që punuan për Mozaikun në vitet 1980. Gjatë restaurimit, ekipi u përballë me një sërë sfidash. Për të mbrojtur fasadën nga dëmtimi, u ndërtua një skelë vëtëmbajtëse, me lartësi 22m dhe pa kontakt të drejtpërdrejtë me mozaikun, e cila në vetvete përbënte një projekt inxhinierik të jashtëzakonshëm.
Specialistëve iu desh të dokumentonin me dorë çdo gur të mozaikut prej 565 m2, duke përdorur një rrjetë plastike dhe letër kalku. Kjo përfshinte identifikimin dhe regjistrimin e 123 toneve të ndryshme ngjyrash dhe qindra mijëra gurëve individualë (tesera) në shkallën 1:1. EU4Culture gjeti zgjidhjen e favorshme duke angazhuar edhe studentë nga Universiteti i Tiranës.
Pas kontrolleve të vazhdueshme, u vu re se uji që rridhte nga çatia depërtonte në të çarat e mozaikut duke shkaktuar krijimin e zgavrave. Për më tepër, disa nga copëzat origjinale të mozaikut pësuan fraktura për shkak të ekspozimit ndaj lagështirës dhe luhatjeve të temperaturës. Për këtë arsye, u pa i nevojshëm riparimi i çatisë. Si pasojë, u hoqën më shumë se 437 tonë mbeturina dhe çatia u hidroizolua e u nivelua për të shmangur kontaktin e mozaikut me ujin e shiut.
Autorët e mozaikut ndihmuan ekipin e EU4Culture për porositjen dhe blerjen e teserave nga fabrika që i prodhoi ato 40 vjet më parë me qendër në Venecia. Fatkeqësisht, disa nga mineralet e përdorura për prodhimin e teserave origjinale nuk ishin më të disponueshme, prandaj kimistëve dhe teknologëve iu desh të identifikonin dhe krijonin materiale që përputheshin saktësisht me tonet e ngjyrave origjinale. Restauruesit e ndanë Mozaikun në segmente dhe e punuan çdo segment duke zëvendësuar hekurat dhe copëzat e ndryshkura me të reja. Buxheti total i punimeve arriti në gati një milion EURO (bazuar në kursin aktual të këmbimit).
Restaurimi i ndërtesës së Muzeut Historik Kombëtar dhe rikonceptimi i ekspozitave muzeale do të vazhdojnë në gjysmën e dytë të vitit 2023. Nëpërmjet programit EU4Culture, po zhvillohet një dizajn i ri që do ta përmirësojë Muzeun sipas standarteve moderne ndërkombëtare. Dizajni do t’u ofrojë vizitorëve një përvojë gjithëpërfshirëse për të eksploruar trashëgiminë dhe kulturën e pasur të vendit.