Mozaiku në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar

Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar konsiderohet si një nga veprat më të mira të realizmit të vonë socialist shqiptar. I vendosur në vitin 1981, ai shfaq në sipërfaqen prej 565 m2, disa nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit, që nga antikiteti deri në epokën komuniste. Dizajni i tij i ndërlikuar është punuar nga artistët e njohur të kohës si Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi.

Në nëntor të vitit 2019, Shqipëria u godit nga tërmeti më vdekjeprurës i 50 viteve të fundit, me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter. Efektet e tij shkaktuan dëme të mëdha në 11 bashki, duke përfshirë objekte të shumta të trashëgimisë kulturore, midis tyre edhe Mozaikun. Në përgjigje të kësaj krize, Bashkimi Evropian (BE) nisi projektin EU4Culture, të zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. Ky projekt synon restaurimin dhe rijetësimin e siteve kulturore që u dëmtuan nga tërmeti dhe është një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuara nga BE në mbarë botën, me një buxhet total prej 40 milionë euro. EU4Culture synon gjithashtu të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në rimëkëmbjen social-ekonomike vendore dhe rajonale.

Në maj të vitit 2021, EU4Culture krijoi atelienë që do t’i shërbente procesit të restaurimit duke formuar një ekip ekspertësh multidisiplinor të përbërë nga inxhinierë, teknologë, specialistë të konservimit, restaurator dhe artistë që punuan për Mozaikun në vitet 1980. Pas diskutimeve të shumta dhe në konsultim me disa nga autorët, ekipi përcaktoi qasjen më të përshtatshme për restaurimin me fokus ruajtjen e elementeve origjinalë, duke marrë në konsideratë teknikat dhe materialet origjinale të përdorura si dhe zhvillimet moderne të teknologjisë në konservim dhe restaurim.

Ekipi nisi një përpjekje komplekse restaurimi, duke u përballur me një sërë sfidash. Për të ruajtur integritetin e fasadës, u ndërtua një skelë vëtëmbajtëse, e cila arrinte lartësinë 22m dhe qëndronte e palidhur me mozaikun. Ky përbënte një projekt inxhinierik të jashtëzakonshëm, duke marrë kohë dhe përpjekje të konsiderueshme për të identifikuar zgjidhjen më të përshtatshme, me prioritet sigurinë e punonjësve.

Ekipi i EU4Culture u përball me sfidën e madhe të konservimit të sipërfaqes së mozaikut prej 565 m2, një sipërfaqe më e madhe se e një fushe basketbolli. Për këtë qëllim specialistëve iu desh të dokumentonin me dorë çdo gur të mozaikut, duke përdorur një rrjetë plastike dhe letër kalku. Kjo përfshinte identifikimin dhe regjistrimin e 123 toneve të ndryshme ngjyrash dhe qindra mijëra gurëve individualë (tesera) në shkallën 1:1. EU4Culture gjeti zgjidhjen e favorshme duke angazhuar studentë nga Universiteti i Tiranës.  Kjo qasje jo vetëm që u dha ekspertëve mbështetje shtesë, por gjithashtu u dha studentëve mundësinë për të fituar përvojë praktike duke punuar me profesionistë. 

Pas kontrolleve të vazhdueshme, u vu re se uji që rridhte nga çatia depërtonte në të çarat e mozaikut duke shkaktuar ndryshkjen dhe zgjerimin e shufrave të armaturës nën sipërfaqe, gjë që çonte në krijimin e zgavrave. Për më tepër, disa nga copëzat origjinale të mozaikut pësuan fraktura për shkak të ekspozimit ndaj lagështirës dhe luhatjeve të temperaturës. Për këtë arsye, u pa i nevojshëm riparimi i çatisë. Gjatë riparimit, u zbulua se shtresat e çatisë të shtuara përgjatë viteve ishin pesë herë më të trasha se sa ishte parashikuar gjatë fazës së projektimit. Si pasojë, u hoqën më shumë se 437 tonë mbeturina dhe çatia u hidroizolua e u nivelua për të shmangur kontaktin e mozaikut me ujin e shiut.

Autorët e mozaikut ndihmuan ekipin e EU4Culture për porositjen dhe blerjen e teserave nga fabrika që i prodhoi ato 40 vjet më parë me qendër në Venecia të Italisë. Kjo nuk ishte detyrë e thjeshtë, pasi ekspertët duhej të merrnin në konsideratë ndërlikimet, si gjetja e mineraleve, ndikimi i lagështisë, luhatjet termike gjatë procesit të prodhimit si dhe shumë faktorë të tjerë. Fatkeqësisht, disa nga mineralet e përdorura për prodhimin e teserave origjinale nuk ishin më të disponueshme, prandaj kimistëve dhe teknologëve iu desh të përpiqeshin më shumë për të identifikuar dhe krijuar materiale që përputheshin saktësisht me tonet e ngjyrave origjinale.

Restauruesit e ndanë Mozaikun në segmente dhe e punuan çdo segment të dëmtuar në një atelie të përshtatur në muze, duke zëvendësuar, në zonat e prekura, hekurat dhe copëzat e ndryshkura me të reja. Gjatë 22 muajve, ata pastruan me kujdes dhe lyen me llak të gjithë sipërfaqen e mozaikut. Buxheti total i punimeve arriti në gati një milion EURO (bazuar në kursin aktual të këmbimit).

Restaurimi i ndërtesës së Muzeut Historik Kombëtar dhe rikonceptimi i ekspozitave muzeale do të vazhdojnë në gjysmën e dytë të vitit 2023. Nëpërmjet  programit EU4Culture, një dizajn i ri po zhvillohet për ta përmirësuar Muzeun sipas standarteve moderne ndërkombëtare. Vizioni për të ardhmen e muzeut është të përdorë teknologjitë më të fundit dhe ekspozita interaktive. Dizajni i ri do t’u ofrojë vizitorëve një përvojë gjithëpërfshirëse për të eksploruar trashëgiminë dhe kulturën e pasur të vendit.