Komisioneri i BE-së, Micallef, viziton sitet e programit EU4Culture në Shqipëri


June 18, 2025

Bashkimi Evropian, UNOPS dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shënojnë një tjetër arritje në restaurimin e fasadës së ish-Kinostudios dhe modernizimin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit

Si pjesë e vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, z. Glenn Micallef, Komisioner i Bashkimit Evropian për Drejtësinë Ndërbreznore, Rininë, Kulturën dhe Sportin, vizitoi dy site kyçe të trashëgimisë kulturore të mbështetura nga programi EU4Culture: fasadën e restauruar të ish-Kinostudios dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, i cili është pajisur me teknologji të avancuar për digjitalizimin e materialeve.

Vizita u shoqërua me një ceremoni përuruese ku morën pjesë përfaqësues kombëtarë dhe ndërkombëtarë, përfshirë znj. Lira Pipa, Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; z. Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri; dhe znj. Sabine Kania, Drejtore e Zyrës së UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën, së bashku me përfaqësues të institucioneve kulturore dhe autoriteteve vendore.

Ky është misioni im i parë si Komisioner Evropian në Ballkanin Perëndimor dhe jam veçanërisht i lumtur që Tirana, Shqipëria, është ndalesa ime e parë. Jam krenar që sot shënjojmë përfundimin me sukses të dy ndërhyrjeve kryesore të EU4Culture, restaurimin e fasadës së ish-Kinostudios dhe dorëzimin e pajisjeve në Arkivin Kombëtar të Filmit. Ky investim pasqyron angazhimin e fortë të BE-së për të ruajtur trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe thekson solidaritetin tonë. Promovimi, mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore është një përparësi politike për mua dhe do të jetë një gur themeli i Busullës së Kulturës për Evropën.” – z. Glenn Micallef, Komisioner për Drejtësinë Ndërbreznore, Rininë, Kulturën dhe Sportin,

Restaurimi i ish-Kinostudios dhe Arkivit Qendror të Filmit nuk është thjesht një investim në ndërtesa, por një akt ripërtrirjeje i kujtesës sonë kolektive dhe një hap i guximshëm drejt së ardhmes. Këto hapësira historike po shndërrohen në qendra krijimi, edukimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, duke dëshmuar se kultura nuk është luks, por infrastrukturë jetike për një shoqëri që aspiron të jetë e hapur, e zhvilluar dhe e lidhur me rrënjët e saj.” znj. Lira Pipa, Zëvëndësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“Ish-Kinostudio dhe Arkivi i Filmit janë dy institucione të rëndësishme që përfaqësojnë të kaluarën e pasur kinematografike të Shqipërisë dhe qëndrueshmërinë e saj kulturore. Ndërhyrjet e realizuara përmes programit EU4Culture, me mbështetjen bujare të BE-së, kontribuojnë për t’i përgatitur këto site për të ardhmen. Ne si UNOPS,  ndihemi të privilegjuar që ndihmojmë në lidhjen e kujtesës me inovacionin dhe kulturës me zhvillimin e qëndrueshëm.” znj. Sabine Kania, Drejtore e UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën.

Këto ndërhyrje janë pjesë e EU4Culture, një program i financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe i zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS), në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI). Programi synon të rigjallërojë dhe promovojë trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm social dhe ekonomik të vendit.

Në kuadër të programit EU4Culture, ndërtesa e ish-Kinostudios, një pikë referimi emblematike për kulturën shqiptare, iu nënshtrua punimeve konservuese, që përfshinë restaurimin e fasadës historike, riparimet e dëmtimeve nga tërmeti dhe përmirësime infrastrukturore. Punimet, me vlerë prej 376,000 euro, u zhvilluan nga marsi 2024 deri në mars 2025.

E ndërtuar në fillim të viteve 1950, ndërtesa e Kinostudios shërbeu si qendra e kompanisë shtetërore të prodhimit të filmave “Shqipëria e Re”. Sot, ajo është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Dytë, për vlerat e saj arkitektonike dhe kulturore.

Pranë saj, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përfitoi pajisje moderne për digjitalizim dhe ruajtje të materialeve, me një investim prej rreth 100,000 euro përmes programit EU4Culture. Këto pajisje rrisin ndjeshëm kapacitetin për të mbrojtur materialet delikate audiovizive dhe për të përmirësuar aksesin e publikut në përmbajtjen arkivore përmes platformave digjitale.

Arkivi, i themeluar në vitin 1947, ruan mbi 4,330 vepra audiovizive, përfshirë filma, dokumentarë, animacione dhe pamje të rralla historike që datojnë që nga vitet 1920.