Ish qendra e Arqipeshkvisë së Durrësit, në Delbnisht, një tjetër objekt historik i restauruar nën programin EU4Culture


October 10, 2023

Ceremonia e inaugurimit të Ish-Arqipeshkvisë së Durrësit në Delbnisht mbajtur më datë 10 tetor 2023, në Delbnisht shënon përfundimin e punimeve restauruese të kryera gjatë muajve të kaluar. Ish-Arqipeshkvia e Durrësit në Delbnisht (Laç) e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, është rinovuar në kuadër të programit EU4Culture të financuar nga BE, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës. Punimet e restaurimit, me vlerë rreth 620,000 Euro, filluan në korrik 2022 dhe zgjatën afërsisht një vit.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë  znj. Elva Margariti, Minister e Kulturës, z. Hubert Perr, Shefi i Bashkëpunimit  pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri, znj. Majlinda Shqalsi Cara, Kryetare e Bashkisë Kurbin, Don Massimiliano Maria Spezia, përfaqësues i Kishës Katolike, znj. Pamela Lama, Menaxhere e Lartë, në UNOPS (Zyra e  Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve) Shqipëri.

Sipas të dhënave historike të disponueshme aktualisht, struktura fillimisht u ngrit në vitin 1905, duke shërbyer fillimisht si manastir. Gjatë gjithë historisë së saj, ajo priti figura të shquara, si priftërinjtë dhe patriotët Dom Nikollë Kaçorri, Rafaelo D’Ambrozio dhe Prend Bardhi. Me kalimin e viteve, ndërtesa pësoi transformime të ndryshme. Në vitin 1914, ndërtesa u dogj, duke çuar në braktisjen e saj për tre dekada. Pas kësaj periudhe, për një kohë të shkurtër ajo funksionoi si shkollë fillore lokale, pas së cilës nuk u përdor më për shumë vite duke u lënë pas dore dhe e rrënuar. Në vitin 2015 ndërtesa u shpall monument kulture i kategorisë së dytë dhe iu nënshtrua restaurimeve të kufizuara, të cilat, megjithatë, nuk u përfunduan kurrë. Në vitin 2019 ndërtesa u dëmtua rëndë nga tërmeti shkatërrues.

Përpjekjet e gjera, të ndërmarra në kuadër të programit EU4Culture, përfshinin restaurimin e çatisë dhe konsolidimin strukturor të muraturës së bërthamës dhe të ndërtesës ngjitur. Dritaret, dyert, sipërfaqet e dyshemesë dhe teksturat dekorative u restauruan me përpikëri pas projekteve të miratuara të konservimit. Objektivi i përpjekjeve konsoliduese ishte ruajtja e vlerave të Ish-Arqipeshkvisë së Durrësit, e cila është monument kulture i kategorisë së dytë. Theks i veçantë iu kushtua adresimit të efekteve të dëmshme të shkaktuara nga tërmeti i nëntorit 2019, duke  siguruar që restaurimi ruan rëndësinë e tij kulturore. Paralelisht, u kryen rinovime gjithëpërfshirëse, duke përfshirë zëvendësimin e pajisjeve mekanike, elektrike dhe të tjera. Në kuadër të këtij remonti, u gërmua një pus i ri dhe u vendosën kabllo elektrike e të tensionit të lartë.

“Falë punës së ekspertëve, mbështetjes së paprecedentë të Bashkimit Evropian, përmes programit EU4Culture, bashkëpunimit me UNOPS dhe komunitetin katolik të zonës, ia dolëm të restaurojmë një godinë ikonike, ish-Argjipeshkvinë e Durrësit, në Delbnisht të Laçit. Me gjithë problematikat e bartura dhe ato të shkaktuara nga tërmeti, u arrit që ky monument kulture t’i shpëtojë shkatërrimit dhe të vihet në shërbim të besimtarëve.”- tha Elva Margariti, Ministre e Kulturës.

“Bashkimi Evropian është shumë krenar dhe shumë i lumtur që i dorëzon komunitetit një tjetër monument kulture që është restauruar në kuadër të programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës. Ky objekt është një shembull fantastik i partneritetit dhe po ashtu i solidaritetit që Bashkimi Evropian ka treguar ndaj popullit të Shqipërisë në restaurimin e monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti.” – u shpreh Hubert Perr, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqiperi.

“Pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga tërmeti shkatërrues i vitit 2019, sfidat e kohës dhe braktisjes, ekipi ynë i përkushtuar i ekspertëve punoi shumë, duke restauruar dhe dhënë jetë të re në këto mure. Punimet e restaurimit ishin një përpjekje e gjerë, duke përfshirë gjithçka nga çatia deri te detaje të ndërlikuara të muraturës dhe pajisjeve. Në UNOPS, ne jemi shumë krenarë që jemi një partner i besuar i Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Kulturës në restaurimin, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe për të ndihmuar në nxitjen e ekonomisë lokale dhe rigjallërimin e komunitetit lokal, duke kontribuar kështu në mbështetjen e vendit në arritjen e objektivave të Axhendës për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030.”– vuri në dukje Pamela Lama, Menaxhere e Lartë, në UNOPS Albania.

Në vijim, ndërtesa do të përdoret nga Kisha Katolike si pronare e saj me katin përdhes të planifikuar të shndërrohet në një zonë gjysmë publike, në shërbim të komunitetit lokal. Kjo hapësirë mund të përdoret si një kënd leximi ose një sallë ekspozite kompakte, duke i shtuar rëndësinë për komunitetin.