Restaurimi i urës do të sjellë më shumë turistë dhe do të nxisë ekonominë vendase


February 17, 2023

Ceremonia e inaugurimit të urës së Kurçajt e mbajtur sot në Kurçaj shënon përfundimin e punimeve restauruese të kryera gjatë vitit të kaluar. Ura u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe u restaurua në kuadër të programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Në mungesë të burimeve të sigurta historike, historianët besojnë se Ura e Kurçajt është ndërtuar në shekullin XVIII, kohë kur u ndërtuan shumë ura të reja në të gjithë Shqipërinë për të lidhur qendrat kryesore tregtare. Ura e Kurçaj ndodhet në lumin Zezë në fshatin Kurçaj dhe ishte pjesë e një rruge të hershme karvanesh midis Krujës dhe Tiranës. Në vitin 1984 ura u shpall monument kulture kombëtar i kategorisë së parë dhe mbahet si dëshmi historike e arritjeve inxhinierike të kohës. Sot, ura është një vend i trashëgimisë historike dhe kulturore që lidh rrugët vendase. Aktualisht, ura nuk është e përshtatshme për asnjë lloj transporti dhe mund të vizitohet vetëm në këmbë.

“Falenderoj Delegacionin Evropian që nuk u step për asnjë sekondë përballë të gjitha vështirësive sado edhe burokratike që ka pasur për programin edhe ashtu siç kemi finalizuar tashmë restaurimin e kishave duke vazhduar me ato të muzeve edhe të urave si simbole të gjalla të të gjithë mozaikut të trashëgimisë kulturore shqiptare. Më tepër duke pasur vëmendje në zhvillimin e komuniteteve edhe të profesioneve në fushen e restaurimit”– tha  Elva Margariti, Ministër i Kulturës.

Ceremonia e inaugurimit u hap nga znj. Elva Margariti, Minister e Kulturës, z. Alexis Hupin, i Ngarkuari me Punë pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri, z. Artur Bushi, Kryetari i Bashkisë Krujë dhe znj. Pamela Lama, Drejtuese e UNOPS (Zyra e  Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve) Shqipëri.

“Para disa ditësh na u kujtua sërish tragjedia që mund të sjellin tërmetet në komunitet. Por këtu po tregojmë gjithashtu se ka një ditë pas tragjedisë, ka një ditë për të treguar qëndrueshmëri, rindërtim dhe kjo është arsyeja pse ne donim të ishim këtu së bashku për të shënuar tre vjetorin e konferencës së donatorëve që u mbajt në Bruksel këtë ditë tre vjet më parë, pas tërmetit që goditi Shqipërinë. Ne jemi krenarë që punojmë me qeverinë e Shqipërisë dhe me partnerin tonë zbatues UNOPS, i cili  po zbaton programin më të madh ndonjëherë për kulturën dhe rindërtimin në Ballkanin Perëndimor. Krahas parimit të “Rindërtojmë së bashku” dhe “Rindërtojmë më mirë” ne shpresojmë që në fakt kjo mundësi do t’i ofrojë komunitetit një shans për të demonstruar dhe treguar bukurinë e këtij peizazhi por edhe për më shumë zhvillim ekonomik”- theksoi I Ngarkuari me Punë pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri, z. Alexis Hupin.

“Si UNOPS, një nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara e specializuar në prokurime, në projekte të mëdha të infrastrukturës, në menaxhimin financiar dhe menaxhim e projekteve, ne jemi krenarë që jemi zgjedhur si partnerë të besuar për këtë projekt të mahnitshëm. Ne restauruam dhe ia kthyem këtë urë komunitetit, duke u mundësuar turistëve të vizitojnë dhe shijojnë këtë zonë mahnitëse të vendit që nuk njihet mirë. Shpresojmë shumë që nëpërmjet kësaj ndërhyrje të mund të nxisim edhe ekonominë lokale. Ky është një nga 24 sitet e trashëgimisë kulturore që po rivitalizojmë përmes projektit EU4Culture të financuar nga BE, të zbatuar nga UNOPS në Shqipëri”.– tha Pamela Lama, Drejtuese e Zyres se UNOPS (Zyra e  Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve) në Shqipëri.

“Falenderojmë të gjithë aktorët që bënë të mundur restaurimin e kësaj ure të dëmtuar. Për ne është një tjetër objekt që rrit oportunitetin e të ardhurave në zonën në të cilën ndodhemi. Pak muaj më parë ne kemi investuar edhe në asfaltimin e rrugës deri në qendër të fshatit, do të jetë një tjetër investim shtytës për t’u afruar tek ky objekt. Do të bëjmë të mundur shumë shpejtë edhe asfaltimin e rrugës nga qendra e fshatit deri këtu tek ura edhe ky do të jetë një oportunitet më shumë për banorët e zonës edhe për turistët që do të kenë rastin të vijnë në këtë zonë. Faleminderit!” – tha Artur Bushi, Kryetari i Bashkisë së Krujës.


Programi EU4Culture

Programi EU4Culture financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. Projekti fokusohet në rinovimin dhe rivitalizimin e siteve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti dhe përfaqëson një nga projektet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuar nga Bashkimi Evropian me një buxhet total prej 40 milionë euro. Paralelisht, EU4Culture synon të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në rimëkëmbjen social-ekonomike vendore dhe rajonale. Për këtë qëllim, fokus i veçantë i kushtohet teknologjisë inovative, duke përfshirë rrëfimin dixhital dhe krijimin e produkteve multimediale të dizajnuara për të qenë të aksesueshme nga të gjithë. Për më tepër, projekti po mbështet sipërmarrjen vendase, artizanatin dhe iniciativat kulturore që zhvillohen rreth zonave të përzgjedhura përmes shpërndarjes së granteve, duke ofruar një nxitje të drejtpërdrejtë për ekonominë vendase.