22 Prill 2022 – Si ruhen artefaktet në një muze? Pyesni studentët shqiptarë


April 29, 2022

Për disa nga ju mund të tingëllojë si një pyetje e çuditshme ose s fokusi i një prej atyre kërkimeve të destinuara për t’u bërë fitues i ardhshëm i çmimit  Nobel. Megjithatë, në rastin tonë,kjo ishte një sfidë e vërtetë me të cilën u përball ekipi inxhinierik dhe i trashëgimisë kulturore të UNOPS në Shqipëri, para fillimit të punimeve në Muzeun Etnografik të Kavajës, i cili do të restaurohet në kuadër të programit EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar  nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

SI RUHEN ARTEFAKTET NË NJË MUZE – VIDEO

Përpara fillimit të punimeve, më shumë se 800 objekte me vlerë, disa prej tyre 200 vjet të vjetra, duhej të paketoheshin dhe të ruheshin për t’u siguruar që ato të mos dëmtoheshin gjatë procesit të restaurimit.

Mesa duket, ka një ndryshim të madh midis paketimit të një valixheje dhe paketimit të artefakteve të një muzeu ku nuk ka vend për gabime gjatë punës me objekte unike që kanë një vlerë të paçmueshme kulturore dhe rëndësi historike për popullin shqiptar. Prandaj, për të siguruar që ky proces të kryhet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, UNOPS në Shqipëri ftoi profesoren Gabriela Krist, një eksperte e njohur në këtë fushë nga Instituti i Konservimit të Universitetit të Arteve të Aplikuara të Vjenës për të drejtuar një ekip multikulturor të Ekspertëve shqiptarë, anëtarëve të stafit të muzeut, studentëve nga Universiteti Kombëtar i Tiranës dhe Instituti i Konservimit të Vjenës, si dhe inxhinierëve të UNOPS, të cilët punuan për një javë të tërë së bashku për ta bërë këtë fazë sfiduese të një projektit, të suksesshme. Procesi u monitorua nga afër nga Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.

“Shkenca dhe praktika e konservimit është një fushë që ka nevojë për mbështetje për t’u zhvilluar më tej në Shqipëri dhe angazhimi i studentëve nga studimet e trashëgimisë së bashku me ekspertët lokalë të muzeut në të tilla workshop-e “të mësuarit nga praktita” siguron që këto njohuri të mira të jenë të qëndrueshme si dhe përmirëson kapacitetet kombëtare në sferën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore” – vuri në dukje Pamela Lama, Drejtuese e UNOPS-it në Shqipëri.

“Të kemi një mundësi për të mësuar nga ekspertët më të mirë të fushës është e paçmueshme për ne. Ka shumë gjëra për t’u marrë parasysh. Për shembull, letra e ambalazhit duhet të jetë pa acid, ju duhet të parashikoni sigurimin e objektit për të parandaluar dëmtimin gjatë lëvizjes… Tekstilet mund të jenë shumë të brishta dhe të rrezikuara nga lagështia, dëmtuesit, insektet, pluhuri dhe myku. Është e rëndësishme të ndryshoni mbushjen dhe të kujdeseni mirë për këllëf në rastin e jastikëve. Duhet të ketë një sistem për të ruajtur vazhdimisht nivelin e temperaturës dhe lagështisë. Pasi kuptova të gjitha këto, kuptova se sa kompleks është konservimi dhe sa e rëndësishme është të vazhdosh të mësosh për të. Tani besoj fort se për shkak të punës sonë sot fëmijët tanë do të mund të mësojnë nga pasuritë që kemi ruajtur” – theksoi Mirjeta Blloshmi, praktikante e Trashëgimisë Kulturore dhe një nga pjesëmarrëset e workshopit.

“Më bëri shumë përshtypje trashëgimia kulturore që keni në këtë vend, që nga vendet arkeologjike deri te muzetë etnografikë. Më duket është shumë i dobishëm fakti që UNOPS po koordinon këtë projekt jo vetëm për të restauruar dëmet nga tërmeti, por edhe për të krijuar koncepte të reja interpretimi dhe ekspozimi. Përveç restaurimit të siteve kulturore të dëmtuara, UNOPS po punon gjithashtu me ekspertët për të përmirësuar standardet e muzeve. Besoj se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për këtë vend sepse turizmi dhe veçanërisht turizmi kulturor do të luajë një rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe në rrijen e standardeve të jetesës” – theksoi profesoresha Gabriela Krist nga Instituti i Konservimit të Universitetit të Arteve të Aplikuara të Vjenës.