Grantet EU4Culture Nxisin Turizmin Kulturor në Durrës


June 8, 2023

8 Qershor 2023

Gjatë vizitës sonë të fundit në qytetin antik dhe plot jetë të Durësit, të shoqëruar nga përfaqësues të Delegacionit Evropian në Shqipëri dhe Ministrisë së Kulturës, patëm mundësinë të dëshmojmë rezultatet e tre projekteve mbresëlënëse të granteve të programit EU4Culture, që po zbatohen në qytet. Ekipi u takua me përfaqësues të bashkisë së Durrësit për të diskutuar se si nismat e programit të granteve promovojnë turizmin kulturor dhe ndihmojnë në nxitjen e ekonomisë lokale.

Ata patën mundësinë të vizitojnë gjithashtu “Panairin e Turizmit” organizuar nga OJQ-ja “Udhëtimi i Lirë”, ekspozitën e fotografive “Histori të pathëna” dhe një tur të shkurtër nëpër itinerarin e ri të 12 Dyerve të Vjetra, organizuar nga OJQ-të Durrësi Aktiv dhe MuzehLab si dhe një aktivitet në Katedralen e Shën Luçisë, organizuar nga OJQ ESN AL.

Trashëgimia e pasur kulturore e qytetit u ekspozua plotësisht, me artizanët dhe nxënësit e katër shkollave të ndryshme që shfaqën punime të bukura artizanale të frymëzuara nga Durrësi. Mësuesit e artit dhe ekspertë të mozaikëve kanë këshilluar studentët mbi teknikat më të mira për të krijuar vepra arti tradicionale me cilësi të lartë. Artikuj të shumtë si mozaikë, piktura, suvenire terrakote, revista e objekte të tjera u prezantuan për herë të parë për publikun. 

Bizneset kanë shfaqur tashmë interes për ekspozimin dhe shitjen e këtyre produkteve në përfitim të Shkollës Artistike Jan Kukuzeli, ku të ardhurat do të shkojnë për blerjen e një tornoje të re. Panairi u organizua nga OJQ “Udhëtimi i Lirë” në kuadër të projektit “Zhvillimi i Trashëgimisë së Durrësit me bazë Kulturën Kreative” në kuadër të programit të granteve të EU4Culture.