Grantet e EU4CULTURE Shndërrojnë Gratë Artizane të Krujës në Sipërmarrëse Digjitale


November 17, 2023

Artizanët e Krujës, së bashku me përfaqësues nga bashkia, komunitetin vendas, Ministria e Kulturës, Delegacioni i BE-së dhe UNOPS, morën pjesë në një ceremoni për të festuar arritjet e projektit “Artizanët mes së shkuarës dhe së ardhmes”, zbatuar nga Fondacioni Progress dhe i mbështetur nga programi i granteve EU4Culture. 

Për shekuj me radhë, marketingu dhe shitja në tregun tradicional të zanatçinjve të qytetit të lashtë malor të Krujës, ishte punë burrash. Të ardhurat ishin të kufizuara nga një sezon i shkurtër turistik dhe vareshin kryesisht nga moti i mirë. Teknologjitë e reja ishin zgjidhja e përkryer për të ndihmuar artizanët të përmirësonin jetët e tyre dhe të bëheshin më elastikë ndaj sfidave dhe goditjeve të panjohura të së ardhmes, të tilla si pandemitë, kushtet e këqija të motit ose kufizimet për udhëtim.

Projekti EU4Culture i zbatuar nga UNOPS në Shqipëri mbështet gratë artizane në Krujë për të zhvilluar dhe përmirësuar aftësitë e tyre të marketingut digjital për të shkuar përtej biznesit të zakonshëm dhe për të shfrytëzuar potencialin e tregjeve vendase dhe ndërkombëtare online.

Nëpërmjet nismës së grantit “Artizanët mes së shkuarës dhe së ardhmes”, gratë artizane u përfshinë në 12 seanca trajnimi për të mësuar për të mësuar si të përdorin mediat sociale dhe të krijojnë përmbajtje tërheqëse për të tregtuar dhe shitur punimet e tyre në online.

Si pjesë e projektit, një tabelë digjitale informimi është instaluar në hyrje të Pazarit të Vjetër të Krujës, duke shërbyer si një burim i vlefshëm për turistët që kërkojnë informacion mbi artizanët dhe sitet e trashëgimisë kulturore vendase. Për më tepër, kjo tabelë do të përdoret nga bashkia për njoftimet me rëndësi për komunitetin.

“EU4Culture është një nga nismat më të mëdha dhe ambicioze për trashëgiminë kulturore të BE-së në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar solidaritetin dhe prioritetin e jashtëzakonshëm që BE po i jep Shqipërisë. Programi nuk ka të bëjë vetëm me restaurimin e trashëgimive kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, por gjithashtu mbështet përmes iniciativave të tilla zhvillimin socio-ekonomik vendas, duke nxitur potencialin e turizmit kulturor,” u shpreh z. Andrea Ferrero, Shef i Seksionit të Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik dhe Social të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri

“Ne presim që trajnimet në marketimin, marketingun digjital dhe shitjet online do të fuqizojnë artizanet që të kapërcejnë hendekun drejt digjitalizimit, duke lehtësuar ndryshimin në mënyrë të natyrshme. Përtej aspektit ekonomik, këto ‘aftësi të së ardhmes’ do të ndihmojnë në ruajtjen e traditave shekullore, duke siguruar kalimin e tyre në brezat e ardhshëm,” vëreu Pamela Lama, Menaxhere e Programit EU4CULTURE në UNOPS.

“Aftësitë e reja të përftuara nga artizanët e Krujës, së bashku me ngritjen e infopoint-it të ri, jo vetëm që do të rrisin zhvillimin ekonomik të zonës, por gjithashtu do të luajnë një rol thelbësor në promovimin e turizmit. Rrjedhimisht, kjo gjë do të nxisë ekonominë vendase dhe do të bëjë të mundur prodhimin e të ardhurave të reja për komunitetin,” shtoi ajo.

“Artizanët midis të kaluarës dhe të ardhmes” është më shumë se një projekt për ne, është një angazhim serioz për të ruajtur tabanin tonë kulturor. Duke fuqizuar artizanët me aftësi digjitale, ne ndërtojmë një lidhje midis të kaluarës dhe të ardhmes, duke siguruar që zanatet tradicionale të rezistojnë në botën moderne. Kjo nismë jo vetëm fuqizon komunitetin e grave artizane të talentuara të Krujës, por gjithashtu kremton bukurinë e pakohë të trashëgimisë sonë, duke shndërruar historinë në një kryevepër të gjallë për brezat e ardhshëm,” tha Juljan Aga, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit PROGRESS

“Trajnimi i marketingut ishte shumë i dobishëm për mua dhe do të më ndihmojë për të shitur produktet online,” vëreu Dallandyshe Tabaku, një artizane qilimash 35 vjeçare.

“Ne kemi mësuar aftësi marketingu për të shitur produktet, si t’i reklamojmë ato në online dhe t’i përshtasim shitjet me realitetin e tregjeve moderne,” tha Kumrije Berushi, artizane me një përvojë prej më shumë se 30 vitesh.

“Unë u bëra artizane kur isha 15 vjeç dhe do të doja shumë që këtë zanat t’ua kaloja të gjitha vajzave dhe grave të reja, ndërkohë që jam ende në gjendje të punoj për t’u siguruar që zanati tradicional i punimit të qilimave të mos humbasë kurrë,” u shpreh Deshire Maja.

EU4Culture ofroi grante për pesë nisma vendase, të cilat kanë si qëllim mbështetjen e artizanëve dhe nxitjen e turizmit kulturor në Krujë, duke sjellë përfitime për më shumë se 500 individë. Këto aktivitete krijuan 41 mundësi të reja punësimi, ku 29 prej tyre ishin veçanërisht për gratë. Nismat ndihmuan gjithashtu me krijimin e 42 produkteve të turizmit kulturor, duke përfshirë një tabelë digjitale informimi, paketa të ndryshme marketimi, video promovuese, faqe interneti e kështu me rradhë.


Për më tepër rreth projektit: Home – Kruja Bazaar