Dita Botërore e Inxhinierisë: Ruajtja e Trashëgimisë Kulturore me Parimet e Sigurisë

Çdo vit, më 4 mars, Dita Botërore e Inxhinierisë, feston e nderon inxhinierët që kontribuojnë në përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, për një të ardhme më të mirë. Kjo ditë është gjithashtu një mundësi për të vënë në pah përkushtimin e inxhinierëve që punojnë me dhe për programin EU4culture, duke ruajtur trashëgiminë kulturore e garantuar standardet më të larta të shëndetit dhe sigurisë. Ky program financohet nga BE dhe zbatohet nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Këtë vit, në kuadër të kësaj dite, ekipi i EU4Culture vizitoi Muzeun Arkeologjik të Durrësit, i cili është duke u restauruar. Me mbi 2,000 artefakte të zbuluara nga fushata arkeologjike të dekadave të fundit, ky muze është një dëshmi e pasurisë historike të Shqipërisë, një trashëgimi që inxhinierët po ndihmojnë ta ruajnë për brezat e ardhshëm. Përtej ruajtjes së ndërtesave, ata po sigurojnë gjithashtu që procesi i restaurimit të zhvillohet duke prioritizuar sigurinë e atyre që punojnë çdo ditë në terren.


“Jemi shumë të lumtur që ndodhemi në Muzeun Arkeologjik të Durrësit për të vlerësuar ata që janë dalluar në garantimin e shëndetit dhe sigurisë në kantieret tona. Goal Zero është një parim shumë i rëndësishëm për ne. Prioriteti ynë është që të gjithë punëtorët të kthehen çdo ditë në shtëpi të shëndetshëm dhe të sigurt,” u shpreh Pamela Lama, Menaxhere e Lartë e Programit EU4Culture.
Për të nderuar përkushtimin e tyre ndaj shëndetit dhe sigurisë, 2 kontraktorë të cilët punojnë në Muzeun Arkoelogjik të Durrësit, inxhinierja Anjeza Nebiaj dhe specialisti teknik Shpëtim Pitarka. u vlerësuan me certifikatat Goal Zero të UNOPS për angazhimin e tyre në krijimin e një mjedisi pune të sigurt. Përpjekjet e tyre pasqyrojnë misionin e organizatës për të ruajtur standardin “zero aksidente” në të gjitha projektet infrastrukturore.


“Goal Zero nuk është vetëm një politikë, por një kulturë pune. Qëllimi ynë është i thjeshtë, por jetik: zero aksidente, zero lëndime,” theksoi Flamur Shala, Menaxher i Projektit të Infrastrukturës.
Në Shqipëri, gjatë vitit 2023 u kryen 218 inspektime për aksidentet në vendin e punës për të siguruar sigurinë dhe përputhshmërinë me rregulloret, dhe 76% e tyre rezultuan në gjoba. Kjo shërben si një kujtesë se respektimi i protokolleve të sigurisë është thelbësor për të parandaluar aksidentet dhe për të mbrojtur mirëqenien e punëtorëve.
Për inxhinierët, garantimi i sigurisë është po aq i rëndësishëm sa aspektet teknike të punës së tyre.


“Trajnimet e ofruara nga UNOPS na kanë ndihmuar të përmirësojmë praktikat tona të përditshme. Si inxhinierë, kemi përgjegjësinë të zbatojmë dhe të përcjellim më tej këto parime të rëndësishme,” theksoi Anjeza.
Ndërsa Shpëtimi vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit në ruajtjen e standardeve të sigurisë. “Të punosh me ekipin inxhinierik të UNOPS ka qenë një privilegj. Mbështetja dhe ekspertiza e tyre kanë qenë thelbësore për të siguruar kantierë pa aksidente,” tha ai.
Në UNOPS, inxhinierët jo vetëm që po mbrojnë trashëgiminë kulturore, por po vendosin edhe standarde të reja për sigurinë në vendin e punës. Përkushtimi i tyre siguron që çdo projekt restaurimi i EU4Culture të përfundojë duke i kushtuar rëndësi si historisë ashtu edhe njerëzve. Në këtë Ditë Botërore të Inxhinierisë, ne festojmë kontributin e tyre të çmuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe të qëndrueshme, projekt pas projekti.

