Aty ku Shkenca Takohet me Kinemanë: Përkushtimi i Një Gruaje në Ruajtjen e Filmit


February 11, 2025

Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë është një mundësi për të vlerësuar dhe festuar kontributet e jashtëzakonshme të grave shkencëtare. Barazia gjinore në shkencë është thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë, duke siguruar që talenti dhe inovacioni të mos kufizohen nga gjinia.

Teksa shumë fusha shkencore në Shqipëri ende përballen me barriera dhe paragjykime gjinore, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit spikat si një vend ku gratë përdorin shkencën duke luajtur një rol kryesor në ruajtjen e historisë kinematografike të vendit. Hermelinda është një nga këto shembuj, e cila ka kaluar gati 20 vite të jetës së saj duke ruajtur thesaret kinematografike të Shqipërisë përmes punës së saj në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

“Që e vogël, kisha pasion të madh për kiminë, edhe pse konsiderohej si një degë që nuk ofronte shumë mundësi në atë kohë. Pasi u diplomova për inxhinieri kimike, prisja ta gjeja veten duke punuar në një fabrikë. Kjo derisa zbulova Arkivin Qendror të Filmit, ku menjëherë u magjepsa nga arti i ruajtjes së filmit,” thotë Hermelinda.

Ajo u gjend në një profesion që nuk e kishte imagjinuar kurrë, por që në mënyrë perfekte kombinonte pasionin e saj për shkencën me dashurinë për kulturën. Arkivi Qendror i Filmit është një institucion shtetëror, pjesë e ish-Kinostudios, i cili ruan një koleksion të çmuar filmash që datojnë që nga vitet 1920. Me kalimin e kohës, ky institucion ka rritur ndikimin dhe ka zgjeruar veprimtarinë e tij. Falë financimit nga programi EU4Culture, institucioni ka përfituar pajisje teknologjike moderne për të përmirësuar procesin e ruajtjes dhe restaurimit të filmave shqiptarë.

Rrugëtimi i Hermelindës nuk ishte i menjëhershëm. Ajo e filloi nga bazat, duke mësuar gradualisht mbi kompleksitetin e filmave, përbërjen e tyre delikate dhe rëndësinë e çdo shiriti të ruajtur në arkiv. Me kalimin e kohës, ajo u bë një pjesë thelbësore e ruajtjes së trashëgimisë kinematografike të Shqipërisë.

Puna e saj e përditshme përfshin mirëmbajtjen e shiritave të filmit 35 mm, kryerjen e analizave fiziko-kimike dhe monitorimin e lagështisë dhe temperaturës për të parandaluar degradimin e filmave. Për më tepër, ajo inspekton dhe analizon filmat, duke i përzgjedhur, kataloguar dhe programuar për restaurim, ndërkohë që kontrollon me kujdes nivelet e tyre të aciditetit.

Ndryshe nga shumë profesione të tjera, gabimet nuk janë të pranueshme në ruajtjen e këtyre veprave unike artistike, pasi materialet shpesh janë të pazëvendësueshme. Hermelinda është e vetëdijshme për rëndësinë dhe sfidat e punës së saj, duke e kuptuar se ky proces kërkon vëmendje të hollësishme ndaj detajeve dhe shumë përkushtim.

Pavarësisht pasionit të saj, ajo pranon se puna nuk ka qenë gjithmonë e lehtë.
“Kjo punë ka sfidat e veta—arkivat filmike kudo në botë janë të kushtueshme për t’u mirëmbajtur, dhe si i vetmi arkiv filmik në Shqipëri, ky institucion përballet me vështirësi financiare dhe burokratike. Për këtë arsye, mbështetja nga UNOPS ka bërë një ndryshim të jashtëzakonshëm. Ky investim në kuadër të programit EU4Culture është më i madhi në historinë e institucionit,” thotë ajo me entuziazëm.

Me financimin e Bashkimit Evropian, Arkivi ka përfituar pajisje moderne për digjitalizimin e filmave, duke përfshirë një tavolinë kontrolli të filmit, një projektor video filmi dhe një makinë pastrimi filmi të teknologjisë së lartë. Këto mjete kanë revolucionarizuar procesin e ruajtjes. Pajisjet e reja lejojnë matjen precize të tensionit të filmit, duke zvogëluar nevojën për llogaritje manuale dhe rishikime të përsëritura që mund të dëmtonin materialin.

Ing. Hermelinda Troqe, specialiste e ruajtjes së filmit në Arkivën Kombëtare të Filmit

“Dikur, na duhej t’i shfaqnim filmat vetëm për të kontrolluar gjendjen e tyre, gjë që shpesh mund të shkaktonte dëmtime. Tani, mund t’i vlerësojmë ato në mënyrë më të sigurt dhe të saktë. Numëroja ditët derisa pajisjet mbërritën,” shton Hermelinda.

Digjitalizimi jo vetëm që ka përmirësuar përpjekjet për ruajtjen e filmave, por gjithashtu ka zgjeruar qasjen e publikut ndaj trashëgimisë filmike të Shqipërisë. “Shumë shqiptarë nuk e dinin fare se këta filma ekzistonin. Digjitalizimi na lejon të ndajmë historinë tonë kinematografike me brezat e rinj,” thotë Hermelinda.

“Kam parë njerëz të qajnë duke parë këto filma të restauruar. Ata dallojnë gjyshërit e tyre, shtëpitë e fëmijërisë dhe momente që mendonin se ishin zhdukur përgjithmonë,” shton ajo. Për fëmijët, këto filma ofrojnë një mënyrë për t’u lidhur me të kaluarën në një mënyrë të thellë dhe personale. “Është një mënyrë për të kuptuar nga vijmë, për të parë vendet e njohura për ta në një kohë tjetër dhe për të vlerësuar historitë që kanë formuar identitetin tonë,” thekson ajo.

Ish-Kinostudioja ka qenë një vend ku barazia gjinore është mbështetur gjithmonë, me gratë që kanë luajtur role kyçe në industri, si pas kamerës ashtu edhe para saj. Brenda arkivit, sot gratë vazhdojnë të udhëheqin përpjekjet për ruajtjen e filmave.

“Ky profesion është i rrallë, por shpresoj që më shumë të rinj, veçanërisht vajza dhe gra, ta kuptojnë rëndësinë e tij. Ne po ruajmë kujtesën e kombit tonë,” thotë Hermelinda. Historia e saj nuk është vetëm një histori restaurimi filmash, por tregon për përkushtimin, pasionin dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

“Ne nuk po mirëmbajmë thjesht filma të vjetër. Ne po mbajmë gjallë histori,” përfundon ajo. Falë mbështetjes së vazhdueshme, edhe nga programe si ai i EU4Culture financuar nga Bashkimi Evropian, trashëgimia e thesareve kinematografike të Shqipërisë do të mund të mbahet gjallë për brezat që do të vijnë.