Asnjë Justifikim për Dhunën me Bazë Gjinore


December 10, 2023

Dhuna ndaj grave dhe vajzave vazhdon të jetë një pandemi në hije në Shqipëri. Sipas një raporti të fundit të OBSH-së, vendi renditet i dyti në Evropën Qendrore për sa i përket dhunës ndaj grave. Shifrat janë tronditëse, me një mesatare prej 4,000 rastesh të raportuara çdo vit. Përgjatë pesë viteve të fundit, 33,628 gra dhe vajza kanë kërkuar urdhra mbrojtjeje, duke nxjerrë në pah sa thellë shtrihet ky problem. Vetëm në 10 muajt e parë të vitit 2023 janë arrestuar 611 persona për dhunë në familje dhe fatkeqësisht, 10 vajza dhe gra kanë humbur jetën.

Për të adresuar këtë çështje kritike, ne, në UNOPS Shqipëri , bashkë me aktoren e famshme shqiptare në teatër dhe televizion, Ema Andrea dhe me disa artistë të rinj, bashkuam përpjekjet për ndërgjegjësimin dhe thirrjen për veprim të menjëhershëm. Krijuam së bashku një video për fushatën 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, duke u kërkuar të mbijetuarve dhe dëshmitarëve që të raportojnë incidentet në polici. Zonja Andrea gjeti kohë për të vizituar një shkollë të mesme në Kavajë duke nxitur një dialog të hapur për rolin e brezit të ri në çmontimin e stereotipeve dhe kontributin në ndërtimin e një shoqërie më të barabartë. Më tej, inxhinierët tanë zhvilluan një sërë diskutimesh me ndërtuesit tanë të cilët punojnë në sitet e programit EU4Culture që po restaurohen , duke i inkurajuar ata të ngrihen kundër dhunës me bazë gjinore.