Rihapet Muzeu Etnografik i Kavajës, pas restaurimit të plotë


November 13, 2024

Muzeu Etnografik i Kavajës është rihapur pas punimeve të thelluara restauruese dhe muzeale të kryera nga programi EU4Culture i financuar nga BE, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë.

Projekti dyvjeçar, me një buxhet që i kalon një milion euro, përfshiu restaurimin e godinës së dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, si dhe ridizajnimin e muzeut. Vizitorët tani mund të eksplorojnë koleksionin përmes elementëve të rinj multimedialë si muri interaktiv, dhoma veshjeje virtuale, përvoja të realitetit virtual, rrëfime me video dhe audio. Këto risi plotësojnë prezantimet tradicionale të artefakteve duke rritur funksionin e tyre edukativ.

Godina, e ndërtuar në vitin 1800, u shndërrua në një muze në vitin 1971. Sot, muzeu përmban mbi  800 artefakte të llojeve të ndryshme, secili duke kontribuar në misionin e tij edukativ. Koleksioni u ofron vizitorëve një dritare autentike mbi jetën e përditshme të brezave të kaluar, duke dokumentuar rutinat e tyre, festat familjare dhe mbledhjet e komunitetit.

Ceremonia e përurimit mblodhi së bashku të ftuar të shquar, duke përfshirë Sh.T. Ambasadorin e BE-së në Shqipëri, z. Silvio Gonzato;  Sh.S Koordinatoren e Përhershme të OKB-së në Shqipëri, znj. Fiona McCluney; Zëvendësministren e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në Shqipëri, znj. Lira Pipa; Menaxheren e Lartë të Programit të UNOPS, znj. Pamela Lama; Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, z. Fisnik Qosja, të cilët ishin vizitorët e parë të muzeut të rinovuar.

“Përgëzime për bashkëpunimin e shkëlqyer midis autoriteteve lokale dhe qendrore në Kavajë, me mbështetjen e BE-së dhe UNOPS, për të rikthyer shkëlqimin e Muzeut Etnografik të Kavajës! Një vend që flet për të gjitha gjeneratat dhe bashkon të gjithë komunitetin! Programi ynë EU4Culture po ndihmon Shqipërinë të ruajë dhe të festojë trashëgiminë e saj. Ai gjithashtu krijon platforma për ndërveprim midis njerëzve, kulturave dhe feve,”- tha Sh.T. Ambasadori i BE-së, z.Silvio Gonzato.

“Muzeu Etnografik i Kavajës është transformuar në një hapësirë të gjallë që fton vizitorët të përjetojnë historinë e pasur të Shqipërisë në një mënyrë të re dhe angazhuese, duke u bërë një destinacion tërheqës për turistët vendas dhe ndërkombëtarë, ndërkohë që forcon ekonominë lokale dhe krijon mundësi të reja për gjenerimin e të ardhurave për komunitetet. Ky transformim u bë i mundur falë mbështetjes bujare të Bashkimit Europian dhe bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me Qeverinë e Shqipërisë, veçanërisht Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit,”- theksoi znj. Pamela Lama, Menaxhere e Lartë e Programit UNOPS/EU4Culture.

“Si një përgjigje imediate, në 2019-n, të 810 arkifaktet shumë të rëndësishme të muzeut u mbyllën në kuti të sigurta dhe u magazimuan, duke sjellë efektivisht mbylljen e muzeut. Për fat të mirë, në bashkëpunim me UNOPS, programin më të madh të asistencës për rehabilitimin e pasurisë sonë kulturore, sot ky muze me vlera të jashtëzakonshme hap dyert për të gjithë vizitorët. Nën shembullin e rinovimit të plotë të Kalasë së Vilë-Bashtovës, një tjetër projekt që mban markën e UNOPS, edhe Muzeu Etnografik Kavajë do të shndërrohet në një tjetër magnet turistik dhe kulturor.- u shpreh znj. Lira Pipa.