Sot është dita ndërkombëtare e grave dhe vajzave në shkencë!


February 11, 2024

Sot festojmë Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë. Kjo ditë është një mundësi për ne që të njohim dhe kremtojmë punën e jashtëzakonshme që gratë dhe vajzat bëjnë çdo ditë. Kjo ditë shërben si një mundësi e shkëlqyer për të kujtuar dhe inkurajuar gratë dhe vajzat e reja që të ndjekin karrierën në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Ekipi i EU4Culture u takua me Ina Ajazin dhe e pyetëm për rrugëtimin e saj profesional.

Ina Ajazi lindi në qytetin e  Durrësit. Ajo përfundoi studimet e larta në universitetin “Aleksandër Moisiu“ në Durrës, në profilin e  Arkeologjisë dhe më pas masterin në fushën e turizmit. Gjatë këtyre viteve ajo ka marrë pjesë në shumë aktivitete të ndryshme, trajnime, sondazhe arkeologjike në qytetin e Durrësit. Ka punuar rreth 6 vite në Muzeun Arkeologjik dhe Amfiteatrin e qytetit. Puna e saj ka qenë e fokusuar gjithmonë midis arkeologjisë dhe turizmit.

Aktualisht është e punësuar te Kulla Veneciane e cila është kthyer në një Qendër Interpretimi e Trashëgimisë Kulturore dhe merrem me pjesën e shërbimit të vizitorëve. Puna e saj është  dhënia e informacionit për vizitorët nëpërmjet teknologjisë e cila është një risi për qytetin. Ajo shprehet shumë e lumtur që nëpërmjet teknologjisë vizitorët marrin më shumë informacion mbi historinë e qytetit dhe perjetojnë një përvojë të veçantë në Kullën Veneciane.

Si u interesuat për këtë karrierë? Kur e kuptove që doje të ndiqje këtë rrugë?

Gjithmonë më ka pëlqyer trashëgimia kulturore, që në fëmijëri. Durrësi është një qytet që mbart shumë histori dhe kjo gjë ka nxitur dëshirën time për të mësuar më shumë dhe për të eksplorurar më shumë historinë e tij.

Cili është aspekti më interesant i punës suaj?

Ka 2 aspekte të cilat i konsideroj më interesante. Përsa i përket arkeologjisë, bashkëpunimi dhe objektet që mund të gjesh sjellin emocione të veçanta. Në aspektin e turizmit, pjesa më e bukur e punës sime padyshim është komunikimi dhe njohja me njerez të cilët i përkasin kulturave të ndryshme nga e gjithe bota.

Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat jeni përballur në karrierën tuaj?

Sfidat kanë qenë nga më të ndryshmet. Të punosh me një momument kulture është diçka shumë e bukur, por dhe njëkohësisht sfiduese sepse je i pozicionuar në natyrë, në terren dhe kjo gjë e veshtirëson punën. Në aspektin e turizmit, sfida është përditësimi i vazhdueshëm me informacione. Duke patur interes nga shumë persona mbi historinë dhe kulturën e vendit, është e rëndësishme të lexosh dhe të informohesh shumë për të pëcjellë faktet në menyrën më të saktë. Ndonjëherë jam ndeshur me paragjykimet tipike në rastet kur kam marrë pjesë në gërmime arkeologjike dhe kanë shfaqur dyshime mbi faktin se si një grua mund të punoje 8 orë me gërmime.

Në përvojën tuaj, a mendoni se mjedisi i punës dhe roli i grave në të ka ndryshuar me kalimin e viteve? Çfarë ndryshimesh të mëtejshme do të dëshironit të shihnit në vitet në vijim?

Mendoj që në Shqipëri roli i gruas ka ndryshuar shumë. Tani, vajzat edukohen, shkollohen, dhe ndjekin ëndrrat e tyre. Për më tepër, mendoj që vajzat po ecin përpara drejt barazisë gjinore sepse janë prezente në të gjitha fushat dhe kjo më bën të ndihem shumë krenare kur shikoj që shoqëria shqiptare po zhvillohet shumë në këtë drejtim.

Sipas jush, cila është mënyra më e mirë për të interesuar më shumë vajza dhe të reja në këtë fushë dhe çfarë këshille do t’u jepnit atyre për të ndjekur një karrierë në shkencë?

Mendoj se është një pozicion shumë i bukur për vajzat dhe do t’i ftoja ta zgjedhin si profesion në jetën e tyre sepse ka edhe sfidë dhe adrenalinë në profesion. 

Unë i them vajzave të mos heqin kurrë dorë nga ëndrrat e tyre sado e vështirë të jetë dhe gjithashtu trashëgimisë kulturore duhet ti kushtohet një vëmendje e veçantë duke qënë se një profesion në këtë fushë pak e kërkojnë. Mendoj që është një mënyrë e mirë për t’u dalluar, po ashtu duhet të theksoj që duhet shumë punë dhe përkushtim.