Monument i rëndësishëm për tu restauruar nën programin e EU4Culture


September 19, 2022

Në nëntor 2019, Shqipëria u godit nga tërmeti më vdekjeprurës i 50 viteve të fundit.

Tërmeti me magnitudë 6,3 i shkallës Rihter shkaktoi dëme të konsiderueshme në 11 Bashki. Teatri Kombëtar i Kukullave ishte një nga sitet e dëmtuara ndjeshëm nga tërmeti. Godina mbart vlera të mëdha historike pasi arkitektura e saj është një reflektim i zhvillimeve kulturore dhe sociale gjithmonë në ndryshim të shoqërisë shqiptare. Ndërtuar në vitin 1924 për të shërbyer fillimisht si Shtëpia e Oficerëve dhe më pas si Parlamenti i parë i Shqipërisë, ku përdorej rregullisht për seancat plenare, mbledhjet e qeverisë, pritjet diplomatike dhe koncerte. Ajo ishte një prej godinave të para administrative në Tiranë e ndërtuar sipas stilit Evropian. Që prej vitit 1960, godina ka shërbyer si Teatër Kombëtar i Kukullave – një qendër kulturore për fëmijë e ngulitur thellë në kujtesën e disa brezave të shqiptarëve.

“I jemi mirënjohës Qeverisë së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian që na besuan restaurimin e një simboli kaq të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shqiptare. Ekspertët tanë do të sigurohen që të ruajnë të gjitha elementet autentike si të jashtme ashtu edhe të brendshme me një fokus të veçantë në ruajtjen e fazave kryesore të ndryshimeve arkitekturore që ka pësuar ndërtesa. Kjo do të bëhet përmes një konservimi dhe restaurimi rigoroz të elementeve të mbetur në rastet kur provat materiale dhe historike janë të padiskutueshme”- vuri në dukje Pamela Lama, Menaxhere e UNOPS në Shqipëri.

Godina e Teatrit Kombëtar të Kukullave ishte në kushte të këqija edhe përpara tërmetit. Kjo katastrofë shkaktoi dëmtime të rënda në çati. Më konkretisht, një nga oxhakët u shemb ndërsa të tjerët mbetën në gjendje të paqëndrueshme. Pjesa e brendshme dhe muret pësuan një sërë plasaritjesh strukturore ndërsa një pjesë e kullës së skenës u dëmtua ndjeshëm. Gjithashtu, nivelet e tokës përreth godinës kanë ndryshuar gjatë viteve të fundit dhe për këtë arsye ajo ka pësuar dëmtime të rënda si pasojë e lagështisë. Mekanizmat e teatrit të instaluar në vitet 70 dhe 80, kishin cilësi të ulët dhe tashmë janë të vjetruara. Për rrjedhojë, do të zëvendësohen me teknologji më moderne.

Indrit Borici, një inxhinier i projektit BEpërKulturën, ende kujton vizitën e teatrit si fëmijë. Ai pret me padurim të menaxhojë punimet e restaurimit në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare dhe për të sjellë dy fëmijët e tij me pranë kulturës:

“Teatri Kombëtar i Kukullave i restauruar do të përmirësohet plotësisht në përputhje me standardet bashkëkohore dhe do të strehojë deri në 160 persona. Ne gjithashtu do të përmirësojmë mekanizmat e skenës dhe do të instalojmë sisteme të përmirësuara të performancës audio-vizuale në mënyrë që mijëra fëmijë shqiptarë ë shijojnë shfaqje të klasit botëror” – theksoi ai.

Punimet e restaurimit do të përfshijnë: 

– Restaurim të plotë të fasadës duke ruajtur ndërkohë të gjithë elementët autentikë;

– Restaurim  të plotë të pjesës së brendshme me një fokus të veçantë në elementet historike të Parlamentit të parë Shqiptar;

– Rikonstruktim të kullës së skenës në fasadën e pasme si pasojë e dëmtimeve të rënda gjatë tërmetit dhe pamundësisë së saj për të mbajtur peshën e mekanizmave të reja të skenës;

– Restaurim të sallës së teatrit;

– Përmirësim të plotë të infrastrukturës së teatrit të kukullave, duke përfshirë aspektet elektrike, mekanike, të shëndetit dhe sigurisë, ngrohjes, ventilimit dhe menaxhimit të situatave të emergjencës;

– Përforcim të plotë të mekanizmave të skenës, duke përfshirë instalimin e skenës së lëvizshme si dhe sistemet audio, dixhitale dhe të performancës së teatrit.