Qershor 2021 – Revista Trailblazing


July 14, 2021

Intervistë për Revistën “Trailblazing”
Pamela Lama, Drejtoreshë e UNOPS në Shqipëri


1. Shtatorin e kaluar, programi i ri “EU4Culture” u nënshkrua midis Ambasadorit të BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca dhe Drejtoreshës së UNOPS-it të Zyrës Shumëvendëshe të Vjenës, znj. Freya von Groote. Ju lutemi na tregoni shkurtimisht për punën e UNOPS-it në vend dhe ndani me ne shtyllat kryesore të Programit “EU4Culture”.

UNOPS është struktura e Kombeve të Bashkuara (OKB) e specializuar në çështjet infrastrukturore dhe të prokurimeve. Ne gjithashtu ofrojmë shërbime të tjera duke përfshirë menaxhim projekti, menaxhim financiar dhe burime njerëzore. Në Shqipëri, ne punojmë me partnerët tanë në një sërë projektesh. Kjo përfshin projektin “EU4Culture” si dhe mbështetjen tonë për qeverinë e Shqipërisë në përpjekjet për reagim ndaj COVID-19. UNOPS punon ngushtë me ekipin e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri për zhvillimin e qëndrueshëm, duke kontribuar kështu në mënyrë aktive në Programin e Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë Shqiptare 2022 – 2026.


2. A mund të përshkruani shkurtimisht se si do të përdoret fondi prej 40 milionë euro? Kush ka të drejtë të përfitojë prej tij?

Është bërë një vlerësim i plotë, duke analizuar shumë elementë, si kushtet e ndërtimit ashtu edhe vlerën e sitit, së bashku me përfitimet ekonomike që do të sjellë për komunitetin. Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, janë vlerësuar 43 site dhe 27 janë konstatuar të pranueshme për ndërhyrje në kuadër të programit. Ato ndodhen të gjitha në zonat e prekura nga tërmeti, kryesisht në rrethet Tiranë, Durrës, Lezhë. Grupi i parë i objekteve ku ka nisur ose do të nisin së shpejti punimet janë Muzeu Historik Kombëtar, Teatri Kombëtar i Kukullave, Torra Veneciane në Durrës, Muzeu Etnografik i Krujës, Muzeu Etnografik i Kavajës, Kalaja e Lezhës, Ura e Kurçajt, Kisha e Manastirit të Rubikut, Kisha e Shën Antonit të Rodonit.


3. Gjatë Javës së Evropës 2021, ju vizituat shumë objekte kulturore si Torra Veneciane në Durrës, Kisha ikonë në Rubik, Muzetë Etnografikë të Kavajës dhe Krujës, Teatri i Kukullave të Tiranës, Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar e shumë të tjera. Cilat janë ndërhyrjet e afërta që priten nga “EU4Culture”?

Ne po punojmë me specialistë të trashëgimisë kulturore, zejtarë, subjekte publike dhe private dhe e shohim këtë shkëmbim si një kontribut të drejtpërdrejtë ku të dyja palët, ne dhe partnerët tanë, mund të mësojmë nga njëri-tjetri. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh ndërhyrjet e planifikuara rrënjësore dhe sistematike, menaxhimin kompleks të kontratave, infrastrukturën e rëndë dhe komponentët e menaxhimit të projekteve, përvoja dhe ekspertiza e UNOPS-it në realizimin e tyre me efikasitet është një avantazh i rëndësishëm. Pothuajse të gjitha sitet e projektit do t’i nënshtrohen disa fazave të ndërhyrjes, duke filluar nga restaurimi dhe konservimi i strukturës, interpretimi, menaxhimi i trashëgimisë kulturore dhe planifikimi i biznesit e menaxhimi i riskut nga fatkeqësitë. Në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, ne do të punojmë për zhvillimin e modeleve të reja të shfrytëzimit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të trashëgimisë që po kontribuon në zhvillimin ekonomik lokal dhe kombëtar.


4. Sa e rëndësishme është rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e projektit “EU4Culture”? Sipas jush, cila është rëndësia e komunikimit dhe shkëmbimit të pikëpamjeve për trashëgiminë kulturore?

“EU4Culture” është një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të krijuar nga BE-ja. Ne ndajmë vizionin e BE-së dhe të qeverisë së Shqipërisë për një të ardhme që respekton dhe ruan të kaluarën e saj. Mbrojtja e historisë lejon më shumë njerëz të mësojnë dhe të ndajnë historinë e asaj kulture. Vlera e kësaj shkon shumë përtej trashëgimisë kulturore dhe mund t’i lejojë komunitetet vendase që të përfitojnë gjithashtu nga përfitimet ekonomike.


Klikoni këtu për të lexuar më shumë