11 Organizata të Shoqërisë Civile do të marrin Grante për të mbështetur Zhvillimin Social dhe Ekonomik nëpërmjet Trashëgimisë Kulturore


July 19, 2022

Ceremonia e ndarjes së granteve mblodhi së bashku përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile për të mbështetur zhvillimin social dhe ekonomik nëpërmjet promovimit të trashëgimisë kulturore dhe turizmit. Ceremonia u hap nga Drejtuesja e UNOPS në Shqipëri Pamela Lama, Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe Drejtuesi i Bashkëpunimit të Delegacionit të BE në Shqipëri Hubert Perr.

Grantet e dhëna përmes projektit EU4Culture do të financojnë nismat e organizatave të shoqërisë civile që promovojnë zhvillimin e artizanatit, turizmin inovativ, platformat dixhitale dhe eventet kulturore në bashkitë e Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës dhe Krujës, të cilat kanë pasuri të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti i vitit 2019.

“Organizatat e Shoqërisë Civile luajnë një rol themelor në angazhimin dhe fuqizimin e komuniteteve lokale për të zhvilluar programe që plotësojnë nevojat e tyre, në rritjen e ndërgjegjësimit për çështjet që duhet të zgjidhen dhe avokimin për ndryshim dhe zhvillim. Këto projekte do të marrin fonde për të nxitur mundësitë e rritjes socio-ekonomike për komunitetet lokale nëpërmjet mbështetjes së sektorëve kulturorë dhe krijues pranë vendeve të trashëgimisë kulturore. Ato gjithashtu do të rrisin ndërgjegjësimin për rolin e trashëgimisë kulturore si një nxitës të zhvillimit të qëndrueshëm social-ekonomik” – vuri në dukje znj. Pamela Lama, Drejtuesja e UNOPS në Shqipëri.

“Titulli i këtij programi “Rikrijo të shkuarën: Ndërto të ardhmen” është shumë domethënës. Ai na tregon se ne duhet të vlerësojmë, ruajmë, nderojmë dhe vlerësojmë të kaluarën, historinë dhe trashëgiminë tonë kulturore dhe në të njëjtën kohë të përpiqemi ta paraqesim atë në një mënyrë tërheqëse për brezat e rinj dhe për turistët. Ky program do të fokusohet në krijimin e partneriteteve ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe bashkive për të përfituar nga historia dhe trashëgimia kulturore, si dhe për t’i përdorur ato si një mjet për të nxitur zhvillimin socio-ekonomik dhe lokal”- vuri në dukje z. Hubert Perr, Drejtuesi i Bashkëpunimit nga Delegacioni i BE në Shqipëri.

Organizatat e mëposhtme do të marrin grante që variojnë nga 42,000 deri në 60,000 USD:

  1. Cultural Heritage without Borders – Albania në mbështetje të projektit “Platformat e Fuqizimit & të Nxënit nga Trashëgimia Kulturore”.
  2. HELP – Help Hilfe zur Selbsthilfe E.V – në mbështetje të projektit “Ringjallja e Zejeve Tradicionale Lokale në Kavajë”.
  3. “Udhëtim i Lirë – Liberi di Viaggiare”-në mbështetje të projektit “Zhvillimi i trashëgimisë kulturore së Durrësit bazuar në krijimtarinë kulturore”.
  4. TID KRUJA -në mbështetje të projektit  “Dhe tradita vazhdon në Krujë”.
  5. PROGRESS Foundation – në mbështetje të projektit “Artizanët mes së shkuarës dhe së ardhmes”.
  6. Joscelyn Foundation – në mbështetje të projektit  “Rikthimi i traditës artizanale”.
  7. AULEDA – Local Economic Development Agency – në mbështetje të projektit “Routes4culture”.
  8. Urban Research Institute (URI) – në mbështetje të projektit “Artizanët për Trashëgiminë Kulturore – ArtCult”.
  9. Qendra “DURRËSI AKTIV” – në mbështetje të projektit “Kur e Shkuara takon të Ardhmen – rijetësimi i Trashëgimisë Kulturore të Durrësit”.
  10. Qendra ESN AL -në mbështetje të projektit  “TourAZZO – Promovimi dhe rritja e vlerës së trashëgimisë kulturore si nxitëse e turizmit dhe zhvillimit social-ekonomik në Durrës”.
  11. Instituti i Politikave Publike dhe Private (Institute of Public and Private Policies) – në mbështetje të projektit “3E “Eksploro – Përjeto – Përmirëso Turizmin Kulturor në zonën e pas tërmetit”.

Thirrja e radhës për Projekt-Propozime për Grante aktualisht është duke u hartuar dhe pritet të nisë në vjeshtën e vitit 2022.